Poezia si qenie e së bukurës

Poezia si qenie e së bukurës

(Rreth përmbledhjes me poezi “Në zemrën e gjerave” të Ramadan Musliut)

Nga Ndue UKAJ

Poezia e perceptuar si arti më personal, mbetet gjithashtu shprehja më dridhmuese ku sintetizohen përmes sublimes e thellësisë filozofike, dimensionet estetike dhe semantike të tekstit. Poeti, nëpërmjet kësaj formë të ligjërimit, poesisit, (krijimit nga asgjëja), shenjëzon me nuanca të fuqishme poetike, dhembjet, dashuritë, urrejtjet, me një fjalë, gjitha pulset e njeriut dhe perceptimet e tij për botën që e rrethon. Poeti si orakull, përhap zërin e shpirtit të tij dhe ky zë ka për destinim shpirtin.

Poezia e Ramadan Musliut, thellësisht është poezi e shpirtit të pasionuar për të bukurën dhe kënaqësinë e letërsisë. Poeti, duke synuar t’i përgjigjet dilemës së përhershme se çfarë i shërben arti fiskionit asaj që e quajmë botë reale, sikundër është në vijë me Paul Asuterin, i cili artin e sheh si fryt të së bukurës e për të bukurën, prandaj të bësh letërsi do të thotë: “Të bësh diçka për hir të kënaqësisë dhe bukurisë”.

Krijuesi dhe kritiku i mirënjohur Ramadan Musliu me virtuozitet ka thyer tendencat konformiste në art e letërsi, duke mbet njëri nga zërat më origjinal, një autor i rrallë, i cili zhbiron në esencat e qenies së artit, duke e latuar fjalën poetike dhe duke e projektua atë si ide e ndjesi. Kësisoj ai ka dit me mjeshtëri t’iu ik shablloneve në art e letërsi dhe ka dhënë modelin e një poezie të kultivuar, që përftohet nga përsiatjet dhe ndjeshmet, nga gjuha atributive dhe vargjet vibruese. Në përmbledhjen me poezi “Në zemrën e gjerave” (Buzuku, 2005), Musliu modusin tematik të lirikës (Norhep Fraji) e ndërton duke sinkronizuar empiritë jetësore, që bëhen pulsi i fuqishëm i çdo vargu, si dhe duke njohur e funksionalizuar në poezi kulturën universale të artit poetik, e cila reflektohet si filozofi, si e bukur dhe e dobishme (Horaci). Në zemrën e gjerave, autori zbret dhe aty nuhat me shije të kultivuar artistike dhe ndjesi të thella esencat e botës, të cilat i transfiguron në art me një ndjeshmëri të thellë poetike e inspirime që përftohen nga jeta praktike. E, këto janë shenja karakterizuese të poezisë së tij, ngase pikërisht aty është “vendi ku shpërthen shpirti” dhe shkëndijat e tij zbresin në vargje dhe ndërtojnë trupin e poezisë, e cila rriten e saj e bën nëpër stinët artistike që kanë laryshi ngjyrash e idesh letrare. Së këndejmi, krijuesi variacionet ideor i ndërfut në tekst, duke shqiptuar fuqishëm qenien e tij, e cila i “dorëzohet” zemrës, duke rënë në zemrën e gjërave, aty ku e ka zanafillën dhe është burimi i tekstit dhe estetika e tij, përjetësia dhe amshueshmëria e fjalëve e lidhur me kuptime poetike e metaforike. Prandaj është “andrra e jetës” sintagma poetike që hap ciklin e parë me poezi të modusit tematik, si një shënjues letrar specifik, që jetën e percepton si ëndërr, ndërkaq ëndrrën si motivim për tekstin e poezinë. Në fakt, kjo sintagmë që njëherësh bëhet paradigmë poetike, na ritregon tekstin si intertekst dhe ndërlidh poetikën e Musliut, në instancën e dytë ligjërimore (Barthes) me poetin elitar Ndre Mjeden dhe tekstin e tij poetik “Andrra e jetës”. Kjo ndërlidhje shenjëzuese ka për qëllim poezisë t’i jap karakter universal, duke e përjetësuar me jetën si ëndërr dhe shkrimin si domosdo për t’i treguar ëndrrat, edhe atëherë kur ato janë të trishta, të zeza, e që e hedhin njeriun në trishtim. Apo, edhe kur ato janë ëndrra rurale, me përplot të palara, ato duhet krijuar për të qenë shenjë e kohës, mbi të gjitha për ta sfiduar atë. Në këtë vorbull poetik, është vjeshta si figurë letrare që ka predimensionim të shumëfishtë dhe ku poeti përqendrohet me një sens të veçantë, ngase është figurë që shtreson tiparet e poezisë së tij. Vjeshta si figurë letrare shënjon gjendjen emocionale të poetit, sikurse shpreh klithmat për hyrjen në dimër të acartë “Paralajmërimi i dimrit”, prej nga dalja është e vështirë.

Perceptimet e krijuesit për botën dhe njeriun, ndërfusin kontrastet e shumta në poezi, që shenjëzohen nëpërmjet metaforave e simboleve, krahasimeve e ironisë, e që në lirikë luajnë një rol të figurshëm, për të përçuar ide e mesazhe, gjithnjë përmes së bukurës si intencë e poezisë dhe përsiatjeve e abstraksionit si tipare metafizike të poezisë. Këtë rrjet tematik me sekuenca të ndryshme e evokime të shumëfishta e hasim tek cikli  poetik “Bardh e zi”, ku poeti krijon kontraste të fuqishme letrare, aluzione dhe parodizime të realizuara mjeshtërisht.

Në të vërtet, edhe pse poetit “diçka si acid” i ka rënë në gjuhë dhe e trondit në gjumin e tij, ai e rrit trungun e tij poetik, ndaj ai “ndez qirin/ të ndriçoj qiellin e errësuar” (“Kohë e papërshtatshme”).  Qiri si shenjë autoriale është projektim i motivum nga domosdoja për të thyer të zezën, e cila rri mbi kokën krijuesit, e, që këtu shenjëzohet me qiellin si simbolin e pushtetshmërisë. Në këtë aspekt, poezia “Gjendje asnjanëse” e tipoligjizon sfidën e tij me makth, kur poeti shpërthen “Lufta ime e fundit me vetën time mbaroj me pat”. Dhe kjo ngase “një gjilpërë e harruar me ther në palcë dhe askush s’më dëgjon”. Në këtë gjendje emocionale, është poezia, vargu, shpërthim i fuqishëm. Prandaj poezia e Musliut nuk është e qetë, por ajo stigmatizon pamëshirë të keqën dhe sejmenët e saj, ajo është e ndërtuar me mekanizma të fuqishëm poetik; është e bukur estetikisht, por ajo është e pamëshirshme ndaj të palarave dhe devalvimeve të shumëfishta që e karakterizojnë jetën e njeriut tonë me të cilat dukuri Musliu nuk bënë kompromis. Kështu që në poezinë “Jetë kolektive” revolta e tij është e tendosur, por e pathyeshme. Poeti parodizon njeriun e kohës së tij, lirinë e tij, jetën si turmë dhe kështu krijon vargjet e goditura mjeshtërisht e të realizuara letrarisht: “Jeta qelbet nga të palarat/dhe rrobat e vjetruara/ të varura në tel/ për t’u ajrosur”.

Poezia e Ramadan Musliut ndërthuret si asociacion ndjesimesh të fuqishme në vorbullën e së cilave ai evokon kohën dhe jetën qençe në të. Në këtë aspekt poezia “Në ashensor” është tejet e fuqishme, ka një dinamikë të fuqishme që të trand shpirtin, vargu dallohet për një spontanitet të çiltër. Poeti arrin të konfiguroj në art të mirëfilltë çdo sekuencë të jetës, ndaljen e rrymës në ashensor, çastet në terr kur i zihet fryma dhe “përjashta dikush flet/ për mushkonjat që po vijnë nga plehrat/ se gjithçka është bërë pleh“. Dhe ky trishtim nuk moleps poetin, e më pak vargun e tij, i cili ironizon pamëshirshëm devijimet shpirtërore dhe indiferencën në raport me to.

Poezia e Musilut është reflektim i katrahurës së ndërlidhur me kontekstin e tij krijues e jetësor. Dhe nga ky kontekst shpërthen kurdoherë tehu i ironisë, i asaj ironie që pëlcet nga trishtimi, sikurse te poezia “Jetë qençe”, e cila shquhet për mendime të thella dhe gjuhë stigmatizuese, me veçanti stilistike e semantike të dallueshme.

Poezia e Musliut karakterizohet për një gamë të larmishme tematike, për shumësi figurash letrare e gjetjesh poetike të qëlluara. Ajo është një poezi që idenë e mishëron fuqishëm me figurën e goditur. Ajo është poezi e menduar dhe e përjetuar, e bluar në laboratorin e mendjes dhe zemrës. Dhe mbi të gjitha poezia e tij mbetet një burim i pashterur për lexuesit që donë të lexojnë poezinë si art të kultivuar e jo si konsum ideologjik .

0 Responses to “Poezia si qenie e së bukurës”



  1. Leave a Comment

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s





%d bloggers like this: