Letërsia shqipe sot

Letërsia shqipe sot

Nga Ndue Ukaj

Të thuhet se kultura shqiptare si tërësi shenjëzuese nacionale është në gjendje të mjerë, mbetet vetëm një konstatim, tanimë banal. Përkundër këtij konstatimi, kulturës shqiptare dhe në këtë aks, literaturës shqiptare, si njëra nga paradigmat me qenësore të kulturës, i duhet një tretman tjetërfare, mbi të gjitha i duhet një debat i thellë e përmbajtjesor që do të shtronte shumë pyetje dhe do të jepte përgjigje adekuate.

Krist Maloku, dijetarë i mirënjohur shqiptar, i cili i përket periudhës së artë të viteve të 30-ta, kur diskutonte për literaturën shqiptare, pat shkruar: “Paralel me gjendjen dhe rjedhjet sociale qindron edhe literatura e jonë e shkatrueme. Pa një drejtim, pa një qëllim të përbashkët-mbasi u shterp edhe lopa e patriotizmit-vjershojn poetet e sotshem ner gjithfarë anësh të Shqipëniës e gjithfarë vendesh të huej, sejcili në mendje të vetë, pa fije inspiracijonit e shije artistike”. Referenca e Malokut e kuptuar në kontekstin e kulturës letrare shqiptare sot, na fut në një qerthull të ankthshëm mëdyshjesh e përgjegjësish, pas së cilave shtrohen domosdoshmërish pyetje e kërkohen përgjigje adekuate nga mendje të ndritura e dashamirët e mirëfilltë të kulturës letrare.

Gjendja e përgjithshme e literaturës shqipe, nuk dallon shumë nga ajo që e vlerësonte Maloku, afërsisht një shekull më parë. Në të vërtet, letërsia shqipe edhe pse ka krijuar tanimë një traditë, ka në gjirin e saj emra të denjë e artistë meritor, por vazhdon të vuan mungesën e një komunikimi të lirshëm, vazhdon të jetë e sfiduar nga grupe e qarqe paraletrare, që më së paku i shërbejnë kulturës letrare, vazhdon të jetë preh e disa emrave që mund të jenë gjithçka tjetër përpos shkrimtar, vazhdon të bën jetë prej klanesh e grupesh të mbërthyera nëpër geto primitive. Në fakt, letërsia shqipe më së tepërmi vazhdon të vuan nga klanet dhe oportunistët shkrimtar, të cilët sot realisht janë gangrena më e rrezikshme e letërsisë shqipe. Ata, duke iu shërbyer klaneve i shërbejnë më së miri antikulturës, kicit, jo vlerave, i shërbejnë fragmentimit të letërsisë shqipe, izolimit të saj. Letërsia dhe klanet është sikur letërsia dhe jo vlerat. Prandaj janë klanet ato që po e rrënojnë e izolojnë edhe më shumë letërsinë shqipe.

Është pikërisht kjo gjendje e mjerë, që e pengon integrimin e plotë të letërsisë shqipe, si një sistem i vlerave universale, po e pengon komunikimin e natyrshëm e të nevojshëm e po e mban letërsinë të mbërthyer tek ca emra shërbëtor ideologjish e autorë pa shije të kultivuar artistike. Pikërisht klanet e bëjnë letërsinë të jetë e fragmentuar, e shpeshherë e ekskomunikuar dhe paragjykuar, jo me diktate politikë si më parë, por nga vet shkrimtarët. Plotë autorë të “mëdhenj” struken pas klaneve dhe grupeve të caktuara, duke harruar se arti i mirëfilltë e vlerat universale nuk kanë nevoje për apologjet, për mburoja. Së këndejmi, autorë të shumtë shqiptar që vërtet përfaqësojnë vlera të njëmenda, e kanë të vështirë t’i ofrohen lexuesit shqiptar, i molepsë kjo gjendje bizare,  dhe i vë përballë sfidave të shumëfishta.

Se ka krizë të leximit dhe ka krizë të vlerave, thuajse pajtohet çdo shkrimtar racional në hapësirat ku kultivohet letërsia shqiptare, Shqipëri, Kosovë, diasporë e gjetiu. Rezultat e kësaj krize letrare dhe çorientimit në vlera, ka rezultuar të bie në gjendjen skandaloze lexueshmëria. E, mbi të gjitha në këtë aspekt çalon sistemi  i vlerave. Sot shumica e emrave, të cilët ta zëmë janë ajka e Prishtinës letrare, në botën perëndimore nuk hyjnë as nivelin mesatar të literaturës. Megjithëkëto mungesa, prapëseprapë ende nuk kemi një debat të mirëfilltë letrar, nuk kemi shoqata të konsoliduara shkrimtarësh, nuk ka komunikim të lirshëm të vlerave, nuk ka një periodikë të guximshëm për të ndarë vlerën nga jovlera, letërsinë nga joletërsia, klanet nga kultura. E gjithë kjo gjendje, po të përkthehet thjeshtë domethënë: letërsia shqipe ka krizë, ashtu sikurse e gjithë shoqëria. Por, cila është natyra e kësaj krize, a është kaluese dhe çfarë duhet të ndërmerret për të ndihmuar në kalimin e kësaj gjendje të tillë çfarë kemi?

Nëse e lexojmë më tej Malokun, qëndrimi i tij kritik vazhdon të kumbon më shkopin fishkëllyes, kur shkruan se: “…deri sot nuk patem kurajën mi thanë mikut ose shokut të vërtetën”. Dhe pikërisht në këtë referencë qëndron esenca e çalimeve të letërsisë shqipe dhe sfidat e saj të shumëfishta. Pikërisht e vërteta dhe largimi prej saj mbesin pengesa të mëdha, pse letërsia shqipe gjendet në një amulli të madhe, pa ndonjë orientim të caktuar, e mbërthyer brenda klaneve, e fshehur dhe e kamuflazhuar nga grupet jashta letrare, shërbëtore të pushteteve të caktuara e shkrimtareca që grumbullojnë në fletën e bardhë fjalë pa shije e pa asnjë kriter estetik. Kjo është në fakt një ideologji letrare, pak e dallueshme me atë që diktonte shijen letrare, vetëm para dy dekadave. Nëse sot politika nuk e dikton letërsinë, është pikërisht kjo e fundit që është oportuniste e paskrupullt e politikës, i është mvesh asaj duke e humbur rolin e saj opozitar që ka në çdo kulturë normale, mbi të gjitha duke humbur statusin e saj autonom dhe duke u bërë shërbyese.

Nëse pajtohemi me atë se literatura shqipe ka ec dhe është paralel me gjendjen e kombit, pa marr parasysh rreth cilës qendër graviton, Tiranë, Prishtinë, Shkup, Malësi, Diasporë, domethënë ajo s’ është në një gjendje të lakmueshme, përkundrazi. Mbase, letërsia, për të keqen, në shumë dimensione qëndron në majën e deformimeve, ku shija artistike është bastarduar dhe ku shkrimtarët defilojnë tamam si surrogat i shkrimtarit real. Një pjesë e madhe e letërsisë shqipe është në dëlirë, duke u vetëkënaqur pafundësisht, pa orientime, brenda një rrethi vicioz, që nuk tejkalon kufijtë letrar të ca qendrave, apo më mirë të themi, shkoqur, kafeve të qyteteve tona, ku zakonisht “bën jetën” letërsia shqipe dhe aty të shumtën e herëve vdes.

Që të jemi realist, as literaturat e konsoliduara, sikurse ato franceze, italiane, anglo-amerikane apo suedeze nuk janë në nivel të kënaqshëm, për shkak të “botës teknologjike” që ka marr përpara çdo gjë, por këto letërsi kanë sistem vlerash të konsoliduar dhe funksionon një hierarki e qartë, që domethënë shkrimtari është shkrimtar e jo surrogat i tij.

Letërsia e një kombi pasqyron në trajtat më të mira psiken e tij. Duke pasqyruar psiken, ndjeshmet dhe shpirtin e një kombi, letërsia mbet kështu një domen real i fizionomisë së një kombi. Për më tepër, letërsia kuptohet e vlerësohet si segment tejet me rëndësi brenda kulturës, si shkalla më universale e identifikimit të një kombi, identifikimi dhe paradigma ku ndërthuret shpirti e identiteti nacional. Duke qenë me vlerë kaq qenësor, letërsia njëkohësisht është paradigma ku ndërthuren kohë, ideale, kontradikta, perceptime për botën në trajtat e shkrimit fiksional. Duke qenë kaq e rëndësishme, letërsia jo gjithherë është kuptuar drejt, ne mos ajo, në trajtat e kundërta, në shoqëri tranzicionale ka qenë e mbetet arena më përshtatshme prej ku manipulohet në mënyrën më të paskrupullt e ku çorientimet janë në shkallë të lartë. Këtij fati nuk ka mundur t’i ik as kultura shqiptare, e cila sot ec paralelisht me numrin e pafundmë të mungesave që e karakterizojnë jetën e njeriut shqiptar. Në një gjendje të rënduar dhe me shenja të pakta shprese për këndellje, në një ambient letrar ku pyetjet dhe dilemat janë të shumta e përgjigjet e pakta, detyrë e komunitetit të shkrimtarëve dhe artistëve, mendoj se mbetet, “që në vend se të ankohen për errësirë, të ndezin një qiri” (Nëna Terezë). Kjo referencë me predimensionime morale, ka kuptim thelbësor, edhe në dimensionet letrare, ngase literatura shqipe vazhdon të vuaj nga mungesa e qirinjve që do të synojnë te mbysin terrin, terrin që është në ne dhe mbi ne. Në të kundërtën, shkrimtarët e shumtë, madje edhe alamet emra të mëdhenj, luajnë rolin e qeramanëve, duke hedh fajin andej e këndej, me vetëdije e pavetëdije. Kjo mënyrë e të perceptuarit të dukurive letrare, është mënyra më e mira për t’i shërbyer antikulturës, vetëizolimit dhe mbetjes në geto.

Megjithëkëtë mungesa, shqetëson tej mase fakt se si letërsisë shqipe vazhdon t’i mungoj debati i hapur, përmbajtjesor e qëllimmirë për këto dukuri komplekse. Jo vetëm kaq, letërsisë shqiptare duke i munguar debati, i mungon gjykimi i mbrehtë për rolin dhe funksionin që ka në një shoqëri. Më tutje, duke i munguar debati dhe duke mos e kuptuar rolin madhor brenda shoqërisë, letërsia shqipe komunikimin e natyrshëm e ka të cunguar, në mos të themi e ka bërë të pamundshëm. Ajo nuk komunikon lirshëm, si pjesë e shpirtit njerëzor e dedikuar për shpirtin njerëzor. Ajo krijohet dhe konsumohet nga një grusht njerëzish dhe ky për mendimin tim përbën një fenomen të tmerrshëm që degradon literaturën shqipe. Të rralla janë ngjarjet kur shkrimtarët shqiptar dalin dhe komunikojnë me lexuesin, pyetën dhe japin përgjigje për krijimtarinë dhe artin, për procesin e krijimit dhe veprën letrare, të rralla janë ato libra që gjejnë lexuesi. Pra, letërsia shqipe jetën e vet e bën kryesisht nëpër kafe, me expresso të shumta, ku vetëkënaqësia dhe mburravecia mbeten në gradën më të lartë, e ku bëhen aleanca primitive dhe ku luftohen gjoja jovlerat (lexo autorët e padëshiruar).

Nëse kuptojmë faktin se është pikërisht kultura ajo që krijon  fizionominë reale të një kombi, atëherë qasja ndaj kësaj komponente kaq të rëndësishme të shoqërisë duhet të ndryshohet. Por, ky ndryshim jo gjithherë është i lehtë. Ai ndeshet me dukuri sabotuese, me antivlera dhe degradime artistike. Vetëm një kritikë e pastër dhe e çiltër, do të krijon dijen e vetëdijen për fenomenet në fjalë. Andaj është kohë për tu fut në këtë betejë, me një përcaktim qëllimmirë, për të ndërtuar hierarki dhe për të ndërtuar sistem vlerash reale, jo abuzime dhe shpërdorime me këtë fushë shpirtërore. Ngase duke qenë shpirtërore, është tejet e delikate dhe vështirë e riparueshme.

0 Responses to “Letërsia shqipe sot”



  1. Leave a Comment

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s





%d bloggers like this: