Dekadat e katharsisit letrar

Dekadat e katharsisit letrar

Ndue Ukaj

Nëse marrin për bazë mendimin empirik se kritika (letrare, N. U.) asht shenjë e mendjes së pjekun( Arshi Pipa), dy dekadat e fundit të kulturës letrare shqiptare, e dëshmuan dhe shënjuan në shumë  aspekte një  gjë të tillë. Kjo për faktin se mendimi për letërsinë, ka evoluar dukshëm, duke përvetësuar shkolla të avancuara e prirje letrare të përbotshme, të cilat i bëri pjesë të diskursit letrar kombëtar. Gjatë kësaj periode, mendimi për letërsinë,  ka marr përgjegjësi të vështira, si një kritikë në përpjeke për t’u vetëdijesuar dhe konsoliduar, e dal nga rrënojat e një  kohe të  errët, ku letërsinë  ishte skajshmërisht e manipuluar nga dogmat, ideologjia mbytëse dhe arti në  funksion ideologjik. Në misionin e kësaj kritike letrare, ishte të  ndaj vlerat nga jovlerat dhe t’ia rikthej letërsinë kah letërsia. Pas shpërpjesëtimeve të mëdha letrare dhe një hierarkie të sajuar nga diktati, në këto vite, kritika duhej të formësoi hierarkinë letrare cilësore, sipas parimeve të shëndosha letrare. Ky synim, edhe pse ndofta s’u realizua në  plotëni, gjatë këtyre viteve janë ba korrigjime shumë domethënëse në mendimin e përgjithshëm për letërsinë. Mendimi për letërsinë, i cili ekzistonte, është  përmbysur, ndërkaq historia e re e letërsisë, s’është  ajo që  na shkruanin byrotë politike dhe kritika ideologjike. Shikuar nga ky aspekt, kritika letrare shqipe ka pasur sfida të shumëfishta e të karaktereve letrare e joletrare. Asaj ju dashtë të  jetë  e guximshme, për të synuar e krijuar rregull, në aporinë e studimeve letrare; për të  sanuar pasojat e gjatë të ekskomunikimeve, përjashtimeve, fragmentimeve, përbuzjeve, me të  cilat dukuni ishte shëmtuar  trupi i letërsisë  kombëtare.

Një nga elementet dalluese, mbi të cilat u krijua letërsia e këtyre dy dekadave dhe mendimi për letërsinë, pa dyshim se mbeti qëndrimi refuzues/kundërshtues, në raport me letërsinë pararendëse, dogmat dhe soc-realizmin, dukuni këto që kishin vërshuar e ngulfatun letërsinë shqipe, për dekada të tëra, e sidomos atë që krijohej në Shqipëri.

Qysh në fillimvitet 90-ta, u artikulua ky qëndrim refuzues dhe u ndje nevoja për rikthimin traditës së viteve 30-ta dhe shkrimtarëve të ekskomunikuar, që realisht përbënin aureolën e letërsisë shqiptare.  Ky qëndrim, zaten ka pasur një mision/funksion etikë, përmes të cilit është synuar një katharsis i mendimit për letërsinë dhe kulturën letrare shqiptare në tërësi. Sikur në Tiranë, ashtu edhe Prishtinë e gjetiu, lëvizjet e pakta letrare, ishin kryesisht ato që motivoheshin dhe synon letërsinë t’ia kthenin letërsisë, duke e defamiljarizuar (Roman Jakobson) atë nga dogma dhe ideologjia rrënuese, e cila qe bërë me kohë mendësi tipike letrare, sidomos dominonte në Shqipëri, përjashtimet e së cilës në Kosovë ishin të dukshme dhe shumë më cilësore. Kjo nënkuptonte një betejë jo të lehtë, më norma, dogma të krijuar dhe me një korpus të gjerë krijimesh dhe studimesh letrare, që ishin ba gjatë viteve të soc-realizmit, kur letërsia ishte zhvesh nga gjitha tiparet e saja esenciale dhe kishte marr trajta deformuese, thellësisht ideologjike, e duke mbet më së paku letërsi

Prandaj, përgjatë këtyre viteve, ndodhi përmbysja e një hierarkike letrare të shpikur që kishte krijuar soc-realizimi, pa kurrfarë kritere letrare dhe estetike; një hierarkike letrare që ishte fund e krye e vendosur nga diktatet e dhunshme, përjashtuese dhe fragmentuese.

Ajo që e karakterizon qartësisht mendimin për letërsinë në këtë periudhë kohore dhe letrare, pa dyshim është synimi për t’i korrigjuar leximet e mbrapshta, të cilat i ishin bërë letërsisë shqipe dhe këndej pari, synimi për t’ia rikthyer asaj figurat eminente, të munguara dhe të ndalura, me motive absurde e aspak letrare. Ky motivim letrar i korrigjimit dhe arsyetimit (Ian Meclean) të një mendimi letrar, bëhet shënjues tipologjik i kësaj kohe në letërsi. Shëmtitë që kishte krijuar dhe instaluar diktatura e njëmendësia kulturore dhe letrare, fillojnë të korrigjohen dhe arsyetohen me lexime e interpretime tjera. Pra, përgjatë këtyre viteve, mendimi për letërsinë është motivuar, duke nënkuptuar kontekstin e letërsisë pararendëse, prej të cilit është vënë në pah fuqishëm nevoja, që e quajtëm etike, të bëhen korrigjime në gjithë sistemin vlerave letrare, nga shëmtitë dhe degradimet që i krijoi letërsia e viteve të diktatit, përjashtimeve dhe selektimeve ideologjike, fetare, etj. Këtë trashëgim të keqe letrare, mendimi i ri për letërsinë synoi ta korrigjoi në tërësi për t’i dhënë një kahe dhe dimension të mirëfilltë letrar. Studimet e shumta, të cilat janë bërë e bëhen në Tiranë, Prishtinë e gjetiu, janë të fokusuara kryesisht të autorët, të cilët, për disa dekada, i mungonin letërsisë shqipe, tek ata të ekskomunikuarit, ata të fragmentuarit, ata të përbuzurit, të cilët në realitetin e ri, përbëjnë, siç e përmendëm, aureolën e letërsisë shqipe. Ndaj, në këto dy dekada, autorët dominues të letërsisë shqipe, nuk janë ata që ishin deri në fillimvitet e 90-ta. Përgjatë këtyre viteve, zënë të shfaqën çdo herë e më fuqishëm, si referenca themelore, autorët e fuqishëm të viteve të 30-ta, emra që emancipuan letërsinë shqipe, mendimin për letërsinë dhe kulturën shqiptare dhe ngritën atë në piedestalin më të lartë, si At Gjergj Fishta, Faik Konica, Vinçens Prendushi, At Anton Harapi, Mitrush Kuteli, Et’hem Haxhademi, Krist Maloku, Mit’hat Frashëri (i njohur edhe si Lumo Skendo), Vangjel Koca, Brako Merxhani, dhe pastaj, pasusit e tyre, Arshi Pipa, Ernest Koliqi, Martin Camaj, Anton Pashku, Frederik Reshpja, Zef Zorba, At Zef Pllumi, etj. Me këta autorë, është marrë e merret pjesa dërmuese dhe më kualitative e kritikës letrare gjatë këtyre dy dekadave. Përveç tjerash, gjithashtu gjatë këtyre viteve letrare, vërehet një rikthim domethënës te autorët e klasikes, si themelues të kulturës tekstuale shqiptare (Anton Berishaj), te autorët si Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Jul Variboba, korpus ky letrar që studiohet si materie estetike dhe jo si lëndë me rëndësi gjuhësore, siç pretendohej pa asnjë kritere letrarë, stilistikë, gjuhësor, estetikë, nga sejmenët e soc-realizmit. Nga këndej, gjithashtu vërehet një ngulmim i vazhdueshëm për të integruar në plotëni letërsinë e krijuar tek Arbëreshët e Italisë, brenda turpit të përbashkët të letërsisë shqipe, e cila letërsi, në të vërtetë përbënë një hallkë me rëndësi të posaçme në letërsinë shqipe, përgjithësisht.

Një tjetër tipar dalluese që e shquan këtë periudhë letrare është vetëdija për objektin e letërsisë, ku vërehen  gjithnjë e më shumë mendje kritike, të mprehta të gjykojnë drejtë letërsinë, autorë e dukuni letrare, si dëshmi e një kritike letrare të pjekun, e cila ndihmon në konsolidim e mendimit për letërsinë.

Dëgjojmë të thuhet, madje edhe lexojmë,  me nervozizëm të tepruar, se letërsisë shqipe i mungon kritika, i mungon një lloj e kritikës së drejtë, një kritike letrare sistematike, e aftë për me ba selektimet e nevojshme dhe e guximshme për me thënë të vërtetën, sikur për vlerat e vërteta letrare dhe anasjelltas, për jovlerat. Kësaj dileme është e vështirë me ju përgjigj, por mënyra më e mirë është me pa letërsinë në tanësinë e saj, si një sistem, sepse vetëm ashtu mund të kuptohet pa keqkuptime. Unë mendoj se mendimi për letërsinë në këto vite ka pas një “detyrë” aspak të lehtë, të lexoi, siç e përmendën më lartë, të rilexoi dhe korrigjoi gabimet e panumërta që la trashëgimia e errët komuniste, aporinë e studimeve letrare, historinë e deformuar të letërsisë, sajimet hierarkike, etj. Në këtë drejtim, është arritur mjaft shumë. Mirëpo, kjo ka ba që letërsia e krijuar gjatë këtyre viteve, të mbetet jashtë vëmendjes së kritikës letrare. Mbase, ky segment, sipas shumë krijuesve, kritikëve, ka stimuluar aty këtu një letërsi mediokre, me shumë emra që defilojnë pa asnjë inspirim krijues dhe pa kurrfarë shije letrare.

0 Responses to “Dekadat e katharsisit letrar”



  1. Leave a Comment

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s





%d bloggers like this: