Rivlerësimi i historisë së letërsisë shqipe

Rivlerësimi i historisë së letërsisë shqipe

Vetë fakti se ndjehet nevoja e rivlerësimit të historisë së letërsisë shqipe, tregon qartë se ajo është lexuar keq, apo në trajtat tjera, është lexuar sipas një diktati politikë, i cili ka rezultuar me lexime të gjithfarshme, përpos letrare

Nga Ndue UKAJ

Nisma për të rishkruar historinë e literaturës shqipe, edhe pse e vonuar, është puna më e mirë e cila mund t’i bëhet kulturës së shkrimit shqip. Kjo për faktin e mirënjohur se letërsia shqipe asnjëherë nuk është studiuar në tërësinë e saj, është parakonceptuar sipas interesave që i kanë karakterizuar kontekst e caktuara shoqërore e ideologjike. Kjo ka ndikuar në masë të madhe që ajo të fragmentohet. Si rezultat i kësaj, letërsia shqipe është keqinterpretuar e paragjykuar, por, përveç këtyre edhe është cunguar e gjymtuar (terma këto të studiuesit Anton Nikë Berisha). Prandaj, rivlerësimi, jo i pjesshëm, por i tërësishëm i historisë së letërsisë shqipe mbetet një domosdoshmëri, për të vënë kuptime adekuate, cilësore dhe të vlefshme në një mjedis letrar me kontradikta të shumta, ngase për dekada kemi trashëguar një apori studimesh të gjithfarshme, të bëra më së paku sipas principeve dhe cilësisë letrare. Më tutje, rivlerësimi i trashëgimisë letrare shqipe, është në përputhshmëri me rolin e kritikës letrare, e cila, ashtu siç vlerëson dijetari i letërsisë Ian Meclean ka si intencë: “roli i interpretimit është të korrigjojë ose të arsyetojë një lexim”. Referenca e lartshënuar na fut në një qerthull subjektiv, në procesin e leximit, që gjithsesi konceptohet se një nga proceset me komplekse të letërsisë. Megjithatë, qëllimi i këtij shkrimi nuk është të analizoj procesin e leximit, por produktin e tij, interpretimin dhe vlerësimin. Pra, interpretimi duhet të korrigjoj ose arsyetoj një lexim, sikundër edhe të korrigjoj gabimet e trashëguara, të cilat janë të shumta, sikundër na planin e dukurive estetike-letrare, po ashtu në aspektet historike e biografike të letërsisë.

Vetë fakti se ndjehet nevoja e rivlerësimit të historisë së letërsisë shqipe, tregon qartë se ajo është lexuar keq, apo në trajtat tjera, është lexuar sipas një diktati politikë, i cili ka rezultuar me lexime të gjithfarshme, përpos letrare. Ky dimension e ka gjymtuar dhe dezintegruar letërsinë shqipe, duke e cunguar, keqinterpretuar dhe paragjykuar. Prandaj, ky lexim i ri, në kontekste tjera letrare e shoqërore, kur ideografia e kritikut (Ezra Paund) nuk është e orkestruar nga ideologjitë, sigurisht duhet të vë kuptime të reja brenda një mjedisi letrar e kulturor, me përplot kundërshti. Një apori letrare e krijuar për dekada të tëra, duhet të qartësohet dhe ky qartësim duhet të bëhet nëpërmjet rivlerësimit të tërësishëm të korpusit të letërsisë shqipe që do të rezultonte me integrimin e tërësishëm të historisë së letërsisë shqipe dhe jo vetëm të asaj që e njohim si periudhë e soc-realizmit.

Në komunitetin e literaturës shqipe, tanimë një kohë të gjatë po vazhdon të debatohet për rishkrimin e historisë së letërsisë. Në princip, duket se ekziston një pajtueshmëri e gjerë, përkundër ca reagimeve periferike dhe të pa efektshme, se historia e letërsisë duhet rivlerësuar, dhe këndej pari rishkruar e ridimensionuar. Kjo për faktin se historia e letërsisë shqipe për dekada të tëra, është karakterizuar për “shpërpjesëtime sasiore, por edhe çhierarkizime cilësore”- shkruan dijetari Aurel Plasari në tekstin brilant “Gjergj Fishta dhe historia e letërsisë”. Si rezultat i kësaj, studimet letrare shqiptare kanë përjetuar një çintegrim të plotë. Letërsia e traditës është kundruar sipas principeve të ideologëve letrar, ndërkaq ajo bashkëkohore është zhvilluar në masë të madhe nën diktat.

Letërsisë shqipe i ka munguar intekromunikmi  letrar dhe debati i mirëfilltë për dukuri e fenomene letrare. Madje dijetari i letërisë Sabri Hamiti mendon se “kurë nuk ka pasur një komunikim letrar në arealin shqiptar. Arsyet mund të jenë, në varshmëri nga kohët: herë gjeografike, herë kulturore, herë ideologjike e madje politike”. Prandaj nga qenia e letërsisë (Zherar Zhenet), për pesë dekada janë përjashtuar autorët themelor të saj, Fishta, Konica, Harapi, Kuliqi, Haxhiademi, Kuteli, Camaj, etj. Ndërkaq kjo periudhë ka patur konsekuenca tejet negative edhe për produksionin fiksional të krijuar gjatë këtyre viteve. Shumë autorë që ka prodhuar soc-realizmi sot, jo që nuk lexohen, por gjykohen si prishës të shijes estetike, ndërkaq autorë të shtypur kanë filluar të ngriten në hierarkinë e vlerave letrare.

Si formulim rishkrimi tingëllon si koncept me konotacione të ngarkuara semantike. Ndërkaq, unë do të preferoj ne këtë kontekst të përdoren termat: rileximi dhe së këndejmi rivlerësimi i literaturës shqipe, ngaqë korrespondojnë thellë me domosdoshmërinë e ndreqjes së gabimeve të shumta që e kanë karakterizuar për dekada literaturën shqipe.

Nëse e analizojmë literaturën shqipe në diakroni, shohim se kundërshtitë brenda letërsisë shqipe kanë si fillesë përplasjet e mëdha që e kanë shoqëruar nacionin tonë nëpër shekuj. Në këtë kontekst, trashëgimia jonë letrare ka mbetur e pastudiuar në mënyrë integrale, apo në raste tjera ajo është selektuar. Kjo ka ndodh sidomos me korpusin e letërsisë së vjetër shqipe dhe autorët themelor, Buzukun, Budin, Bogdanin e Jaribobën, veprat e së cilëve janë konceptuar si tekste me vlera filologjike dhe këndej pari është përjashtuar dimensioni i tyre estetik e letrare. Këta autorë që përfaqësojnë themeluesit e kulturës tekstuale shqiptare (Anton Berishaj) për pesë dekada të sistemit soc-realist në art e letërsi janë lexuar jashta metodave letrare. Në njëfarë mënyre, ky korpus letrar (Buzuku, Budi, Bogdani, Variboba, dhe ndonjë tjetër) u bë për kritikën shqipe “Thembra e Akilit”, me të cilën në mënyrë të veçantë u shërbye soc-realizimi në art dhe letërsi, për ta zhvlerësuar këtë korpus letrar, i cili paraqet shtresimin bazik për gjithë letërsinë e mëvonshme shqipe me autorët e mëdhenj (Mjeda, Kuteli, Koliqi, Fishta, Poradeci, Camaj, Pashku etj. Por problemi me selektimin nuk ndalet këtu. Një çështje tjetër e debatueshme brenda kulturës letrare shqipe mbetet letërsia shqipe e shkruar në gjuhë tjera. Akoma në traditën e shkrimit letrar shqiptar nuk është e definuar qartë se çfarë është letërsia shqiptare e çfarë është letërsia shkruar në gjuhën shqipe. Një detyrë e rishkruesve të historisë së letërsisë është të bëjë këtë dallim të domosdoshëm.
Një nder aspektet e para problematike në vlerësimin e letërsisë shqipe, i cili s’ është prekur ne mënyre sistematike, mbetet çështja e letërsie se trashëgimisë iliro-shqiptare, e shkruar ne gjuhen latine (apo gjuhe tjera te shkrimit), pjese e se cilës është edhe një pjese e konsiderueshme e letërsisë perëndimore. Kjo është letërsia parakombëtare. Ne ketë kontekst, mendoj se janë bere “padrejtësi”, ngase prelatët e kishës së hershme katolike, qe shkruan ne gjuhen latine (Nikete Dardani, Shën Jeronimi, etj.) janë “përjashtuar” nga historia e letërsisë shqipe pa ndonjë shpjegim, edhe pse konteksti i përgjithshëm gjuhësor dhe kulturor, ne te cilin jetuan dhe krijuan ata i përkiste latinitetit. Mos inkorpurimi i këtyre autorëve në historinë e letërsisë shqipe sjell paradoksin tjetër, ngaqë ne kemi një trashëgimi të pasur në historinë e letërsisë nga gjuha latine, sidomos velen të  përmendën autorët e humanizmit (Gjon Gazuli, Marin Becikemi, Mikel Maruli, Marin Barleti, etj), të cilët autorë faktikisht janë pjesë e historisë letrare shqiptare. Nëse e shohim këtë dukuri në vazhdimësi, kemi autorët Sami e Naim Frasherit, që një pjesë të krijimtarisë e shkruan ne gjuhet orientale, ndërsa veprat e tyre janë pranuar dhe integruar ne historinë e letrare shqiptare, edhe pse tanimë kishim një kontekst të ndryshëm dhe gjuhet kombëtare ishin ne kultivim e sipër dhe lidhjet e këtyre autorëve me gjuhet orientale s’ishin domosdoshmëri e shkrimit letrar. Pra veprat e tyre janë të inkuadruar në historinë e letërsisë shqipe dhe ky përbën një aspekt të selektimit. Atëherë, si të interpretohet korpusi letrar parakombëtar dhe autorët Niketë Dardani, Shën Jeronimi, etj, mbetet një çështje e rëndësishme që duhet shpjeguar.

Rivlerësimi i letërsisë shqipe duhet të shtresoj elementet bazike të kulturës letrare shqipe që nga datimet më te hershme, deri tek aktualiteti. Në këtë hallkë, kjo histori duhet ri/integroj autorët e përjashtuar me diktat politikë, duke vënë hierarkinë cilësore, sikundër duhet inkorporoj letërsinë shqipe të krijuar jashta kufijve të Shqipërisë, letërsi kjo që përbën rëndësi sikundër në planin cilësor, njashtu në atë sasior. Në këtë linjë, një çështje mjaft e rëndësishme dhe komplekse mbetet studimi dhe vlerësimi i drejt i autorëve shqiptar që jetojnë dhe krijojnë në diasporën e gjerë shqiptare, e cila letërsi sot ka shumë autorë me nam, pa të cilët letërsia shqipe do ishte shumë më e cunguar.

Historia e letërsisë dhe kritika letrare

Një histori i letërsisë mund të shkruhet drejt vetëm atëherë kur asaj i paraprinë një kritikë letrare sistematike. Pa këtë ndërlidhshmëri, s’mund të ketë rezultate të qëndrueshme dhe të pranuara gjithandej. Në këtë kontekst ajo që mendoj se duhet të shtrohet si temë diskutimi ne sensin e debatit për rivlerësimin e letërsisë shqipe, ne literaturën shqipe, mbetet pyetja nëse kritika letrare është liruar nga dogmatizmi? Dhe pastaj, sa ajo i ndihmon letërsisë dhe historisë së letërsisë? Dijetari i letërsisë Northep Fraji shkruan se: “artet janë memece, ndërkaq kritika mund të flasë”. Nëse pajtohemi me këtë tezë, që gjithsesi ka mbështetje të gjerë ne studimet letrare, atëherë mund të themi se problemet e letërsisë shqipe janë të ndërlikuara dhe kanë një shtrirje të gjerë, që prek relacione të komplikuar mes shkrimtarëve dhe studiuesve të letërsisë.

Segmente të rëndësishme të mendimit për letërsinë, apo më mirë të themi kritika letrare shqipe ende nuk ka arritur t’i riparoj gabimet e trashëguara dhe kjo përbën një pengesë në rrugën e emancipimit të saj dhe zhveshjes nga dogmatizmi. De facto kritika letrare shqipe, ende nuk e luan funksionin e saj për të vlerësuar, karakterizuar, seleksionuar, ndërmjetësuar, por kurdoherë mban rolin e apologjetit apo mohuesit. Kjo për mendimin tim përbën një aspekt të dogmatizmit që pengon rivlerësimin e letërsisë shqipe dhe në këtë sens rishkrimin e historisë së letërsisë shqipe. Ndërsa në aspektin tjetër ky fakt pengon letërsinë shqipe të vlerësohet si dukuri estetike.

Mendimi letrar shqiptar dhe kritika letrare përgjatë shumë dekadave ka përjetuar dhe përjeton krizë identitetit, që ka konsekuenca të fuqishme në konsolidimin e kritikës letrare, por edhe letërsisë shqipe përgjithësisht. Ka segmente të caktuara të kritikës letrare, të cilat, jo që nuk janë shkëputur përfundimisht nga dogmatizmi e kritika ideologjike, por tentojnë me çdo çmim të krijojnë brezin pasardhës të kësaj ideologjie letrare. Për fat të keq, në këtë regjistër hyjnë të ashtuquajtur emra të mëdhenj e autorë me famë, sikur në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë. Megjithatë, konsideroj se kritika dogmatike përfundimisht është në zvetënim e sipër. Tanimë ka një tendencë për hapje të kritikës letrare dhe emra të rinj në Tiranë e Prishtinë kanë qasje inovative dhe tejet të avancuara letrare. Por, kriza e defamiljarizmit (nocion i formalistëve rus) nga dogmatizmi, për  mendimin tim ka krijuar një paradokse tjetër, që është po aq i rrezikshëm, ngase ekziston një tendencë çoroditëse e interpretimit të letërsisë shqipe, përmes fenomenit të glorifikimeve dhe përbuzjeve ekstreme, që gjithashtu ka një segment dogmatizmi në vete.

Vlerësoj se dy dekadat e fundit në letërsinë shqipe gjithsesi kanë shënjuar ndryshime dhe formësime pozitive, në kuptimin e hapjes së studimeve letrare, përvetësimit të metodave dhe shkollave të shumëfishta letrare. Në fakt, sot nuk ndjehet ndonjë uniformitet në studimet letrare, ndërkaq ka një shumësi e shkollash dhe vlerësimesh letrare, duke u bazuar tek teoritë klasike e bashkëkohore. Dhe kjo është një shenjë e shpresëdhënëse që gjithsesi do të ndihmoj në shkrimin cilësor të historisë së letërsisë shqipe.

Dy dekadat e fundit ka pasur një shtim cilësor të studimeve të rëndësishme letrare për autorë dhe dukuri të caktuara letrare. Në këtë periudhë kemi një sfond të pasur dhe cilësor studimeve letrare, që janë fokusuar tek letërsia e vjetër shqipe, tek letërsia e arbëreshëve të Italisë, tek autorët e shumtë të ekskomunikuar, (Fishta, Koliqi, Harapi, Haxhiademi, Santori, Kuteli, Zorba, Pipa, Camaj), apo tek autorët tjerë të rëndësishëm: Reshpja, Podrimja, Pashku, Pllumbi, etj. Këto studime sigurisht se mund të ndihmojnë shumë në një shkrim cilësor të historisë së letërsisë shqipe,  nëse ajo do të shkruhet me qëllime të shëndosha, për të vënë kuptime cilësore në një mjedisi letrar të çoroditur.

Letërsia shqipe sot

Letërsia shqipe sot

Nga Ndue Ukaj

Të thuhet se kultura shqiptare si tërësi shenjëzuese nacionale është në gjendje të mjerë, mbetet vetëm një konstatim, tanimë banal. Përkundër këtij konstatimi, kulturës shqiptare dhe në këtë aks, literaturës shqiptare, si njëra nga paradigmat me qenësore të kulturës, i duhet një tretman tjetërfare, mbi të gjitha i duhet një debat i thellë e përmbajtjesor që do të shtronte shumë pyetje dhe do të jepte përgjigje adekuate.

Krist Maloku, dijetarë i mirënjohur shqiptar, i cili i përket periudhës së artë të viteve të 30-ta, kur diskutonte për literaturën shqiptare, pat shkruar: “Paralel me gjendjen dhe rjedhjet sociale qindron edhe literatura e jonë e shkatrueme. Pa një drejtim, pa një qëllim të përbashkët-mbasi u shterp edhe lopa e patriotizmit-vjershojn poetet e sotshem ner gjithfarë anësh të Shqipëniës e gjithfarë vendesh të huej, sejcili në mendje të vetë, pa fije inspiracijonit e shije artistike”. Referenca e Malokut e kuptuar në kontekstin e kulturës letrare shqiptare sot, na fut në një qerthull të ankthshëm mëdyshjesh e përgjegjësish, pas së cilave shtrohen domosdoshmërish pyetje e kërkohen përgjigje adekuate nga mendje të ndritura e dashamirët e mirëfilltë të kulturës letrare.

Gjendja e përgjithshme e literaturës shqipe, nuk dallon shumë nga ajo që e vlerësonte Maloku, afërsisht një shekull më parë. Në të vërtet, letërsia shqipe edhe pse ka krijuar tanimë një traditë, ka në gjirin e saj emra të denjë e artistë meritor, por vazhdon të vuan mungesën e një komunikimi të lirshëm, vazhdon të jetë e sfiduar nga grupe e qarqe paraletrare, që më së paku i shërbejnë kulturës letrare, vazhdon të jetë preh e disa emrave që mund të jenë gjithçka tjetër përpos shkrimtar, vazhdon të bën jetë prej klanesh e grupesh të mbërthyera nëpër geto primitive. Në fakt, letërsia shqipe më së tepërmi vazhdon të vuan nga klanet dhe oportunistët shkrimtar, të cilët sot realisht janë gangrena më e rrezikshme e letërsisë shqipe. Ata, duke iu shërbyer klaneve i shërbejnë më së miri antikulturës, kicit, jo vlerave, i shërbejnë fragmentimit të letërsisë shqipe, izolimit të saj. Letërsia dhe klanet është sikur letërsia dhe jo vlerat. Prandaj janë klanet ato që po e rrënojnë e izolojnë edhe më shumë letërsinë shqipe.

Është pikërisht kjo gjendje e mjerë, që e pengon integrimin e plotë të letërsisë shqipe, si një sistem i vlerave universale, po e pengon komunikimin e natyrshëm e të nevojshëm e po e mban letërsinë të mbërthyer tek ca emra shërbëtor ideologjish e autorë pa shije të kultivuar artistike. Pikërisht klanet e bëjnë letërsinë të jetë e fragmentuar, e shpeshherë e ekskomunikuar dhe paragjykuar, jo me diktate politikë si më parë, por nga vet shkrimtarët. Plotë autorë të “mëdhenj” struken pas klaneve dhe grupeve të caktuara, duke harruar se arti i mirëfilltë e vlerat universale nuk kanë nevoje për apologjet, për mburoja. Së këndejmi, autorë të shumtë shqiptar që vërtet përfaqësojnë vlera të njëmenda, e kanë të vështirë t’i ofrohen lexuesit shqiptar, i molepsë kjo gjendje bizare,  dhe i vë përballë sfidave të shumëfishta.

Se ka krizë të leximit dhe ka krizë të vlerave, thuajse pajtohet çdo shkrimtar racional në hapësirat ku kultivohet letërsia shqiptare, Shqipëri, Kosovë, diasporë e gjetiu. Rezultat e kësaj krize letrare dhe çorientimit në vlera, ka rezultuar të bie në gjendjen skandaloze lexueshmëria. E, mbi të gjitha në këtë aspekt çalon sistemi  i vlerave. Sot shumica e emrave, të cilët ta zëmë janë ajka e Prishtinës letrare, në botën perëndimore nuk hyjnë as nivelin mesatar të literaturës. Megjithëkëto mungesa, prapëseprapë ende nuk kemi një debat të mirëfilltë letrar, nuk kemi shoqata të konsoliduara shkrimtarësh, nuk ka komunikim të lirshëm të vlerave, nuk ka një periodikë të guximshëm për të ndarë vlerën nga jovlera, letërsinë nga joletërsia, klanet nga kultura. E gjithë kjo gjendje, po të përkthehet thjeshtë domethënë: letërsia shqipe ka krizë, ashtu sikurse e gjithë shoqëria. Por, cila është natyra e kësaj krize, a është kaluese dhe çfarë duhet të ndërmerret për të ndihmuar në kalimin e kësaj gjendje të tillë çfarë kemi?

Nëse e lexojmë më tej Malokun, qëndrimi i tij kritik vazhdon të kumbon më shkopin fishkëllyes, kur shkruan se: “…deri sot nuk patem kurajën mi thanë mikut ose shokut të vërtetën”. Dhe pikërisht në këtë referencë qëndron esenca e çalimeve të letërsisë shqipe dhe sfidat e saj të shumëfishta. Pikërisht e vërteta dhe largimi prej saj mbesin pengesa të mëdha, pse letërsia shqipe gjendet në një amulli të madhe, pa ndonjë orientim të caktuar, e mbërthyer brenda klaneve, e fshehur dhe e kamuflazhuar nga grupet jashta letrare, shërbëtore të pushteteve të caktuara e shkrimtareca që grumbullojnë në fletën e bardhë fjalë pa shije e pa asnjë kriter estetik. Kjo është në fakt një ideologji letrare, pak e dallueshme me atë që diktonte shijen letrare, vetëm para dy dekadave. Nëse sot politika nuk e dikton letërsinë, është pikërisht kjo e fundit që është oportuniste e paskrupullt e politikës, i është mvesh asaj duke e humbur rolin e saj opozitar që ka në çdo kulturë normale, mbi të gjitha duke humbur statusin e saj autonom dhe duke u bërë shërbyese.

Nëse pajtohemi me atë se literatura shqipe ka ec dhe është paralel me gjendjen e kombit, pa marr parasysh rreth cilës qendër graviton, Tiranë, Prishtinë, Shkup, Malësi, Diasporë, domethënë ajo s’ është në një gjendje të lakmueshme, përkundrazi. Mbase, letërsia, për të keqen, në shumë dimensione qëndron në majën e deformimeve, ku shija artistike është bastarduar dhe ku shkrimtarët defilojnë tamam si surrogat i shkrimtarit real. Një pjesë e madhe e letërsisë shqipe është në dëlirë, duke u vetëkënaqur pafundësisht, pa orientime, brenda një rrethi vicioz, që nuk tejkalon kufijtë letrar të ca qendrave, apo më mirë të themi, shkoqur, kafeve të qyteteve tona, ku zakonisht “bën jetën” letërsia shqipe dhe aty të shumtën e herëve vdes.

Që të jemi realist, as literaturat e konsoliduara, sikurse ato franceze, italiane, anglo-amerikane apo suedeze nuk janë në nivel të kënaqshëm, për shkak të “botës teknologjike” që ka marr përpara çdo gjë, por këto letërsi kanë sistem vlerash të konsoliduar dhe funksionon një hierarki e qartë, që domethënë shkrimtari është shkrimtar e jo surrogat i tij.

Letërsia e një kombi pasqyron në trajtat më të mira psiken e tij. Duke pasqyruar psiken, ndjeshmet dhe shpirtin e një kombi, letërsia mbet kështu një domen real i fizionomisë së një kombi. Për më tepër, letërsia kuptohet e vlerësohet si segment tejet me rëndësi brenda kulturës, si shkalla më universale e identifikimit të një kombi, identifikimi dhe paradigma ku ndërthuret shpirti e identiteti nacional. Duke qenë me vlerë kaq qenësor, letërsia njëkohësisht është paradigma ku ndërthuren kohë, ideale, kontradikta, perceptime për botën në trajtat e shkrimit fiksional. Duke qenë kaq e rëndësishme, letërsia jo gjithherë është kuptuar drejt, ne mos ajo, në trajtat e kundërta, në shoqëri tranzicionale ka qenë e mbetet arena më përshtatshme prej ku manipulohet në mënyrën më të paskrupullt e ku çorientimet janë në shkallë të lartë. Këtij fati nuk ka mundur t’i ik as kultura shqiptare, e cila sot ec paralelisht me numrin e pafundmë të mungesave që e karakterizojnë jetën e njeriut shqiptar. Në një gjendje të rënduar dhe me shenja të pakta shprese për këndellje, në një ambient letrar ku pyetjet dhe dilemat janë të shumta e përgjigjet e pakta, detyrë e komunitetit të shkrimtarëve dhe artistëve, mendoj se mbetet, “që në vend se të ankohen për errësirë, të ndezin një qiri” (Nëna Terezë). Kjo referencë me predimensionime morale, ka kuptim thelbësor, edhe në dimensionet letrare, ngase literatura shqipe vazhdon të vuaj nga mungesa e qirinjve që do të synojnë te mbysin terrin, terrin që është në ne dhe mbi ne. Në të kundërtën, shkrimtarët e shumtë, madje edhe alamet emra të mëdhenj, luajnë rolin e qeramanëve, duke hedh fajin andej e këndej, me vetëdije e pavetëdije. Kjo mënyrë e të perceptuarit të dukurive letrare, është mënyra më e mira për t’i shërbyer antikulturës, vetëizolimit dhe mbetjes në geto.

Megjithëkëtë mungesa, shqetëson tej mase fakt se si letërsisë shqipe vazhdon t’i mungoj debati i hapur, përmbajtjesor e qëllimmirë për këto dukuri komplekse. Jo vetëm kaq, letërsisë shqiptare duke i munguar debati, i mungon gjykimi i mbrehtë për rolin dhe funksionin që ka në një shoqëri. Më tutje, duke i munguar debati dhe duke mos e kuptuar rolin madhor brenda shoqërisë, letërsia shqipe komunikimin e natyrshëm e ka të cunguar, në mos të themi e ka bërë të pamundshëm. Ajo nuk komunikon lirshëm, si pjesë e shpirtit njerëzor e dedikuar për shpirtin njerëzor. Ajo krijohet dhe konsumohet nga një grusht njerëzish dhe ky për mendimin tim përbën një fenomen të tmerrshëm që degradon literaturën shqipe. Të rralla janë ngjarjet kur shkrimtarët shqiptar dalin dhe komunikojnë me lexuesin, pyetën dhe japin përgjigje për krijimtarinë dhe artin, për procesin e krijimit dhe veprën letrare, të rralla janë ato libra që gjejnë lexuesi. Pra, letërsia shqipe jetën e vet e bën kryesisht nëpër kafe, me expresso të shumta, ku vetëkënaqësia dhe mburravecia mbeten në gradën më të lartë, e ku bëhen aleanca primitive dhe ku luftohen gjoja jovlerat (lexo autorët e padëshiruar).

Nëse kuptojmë faktin se është pikërisht kultura ajo që krijon  fizionominë reale të një kombi, atëherë qasja ndaj kësaj komponente kaq të rëndësishme të shoqërisë duhet të ndryshohet. Por, ky ndryshim jo gjithherë është i lehtë. Ai ndeshet me dukuri sabotuese, me antivlera dhe degradime artistike. Vetëm një kritikë e pastër dhe e çiltër, do të krijon dijen e vetëdijen për fenomenet në fjalë. Andaj është kohë për tu fut në këtë betejë, me një përcaktim qëllimmirë, për të ndërtuar hierarki dhe për të ndërtuar sistem vlerash reale, jo abuzime dhe shpërdorime me këtë fushë shpirtërore. Ngase duke qenë shpirtërore, është tejet e delikate dhe vështirë e riparueshme.

Poezia si qenie e së bukurës

Poezia si qenie e së bukurës

(Rreth përmbledhjes me poezi “Në zemrën e gjerave” të Ramadan Musliut)

Nga Ndue UKAJ

Poezia e perceptuar si arti më personal, mbetet gjithashtu shprehja më dridhmuese ku sintetizohen përmes sublimes e thellësisë filozofike, dimensionet estetike dhe semantike të tekstit. Poeti, nëpërmjet kësaj formë të ligjërimit, poesisit, (krijimit nga asgjëja), shenjëzon me nuanca të fuqishme poetike, dhembjet, dashuritë, urrejtjet, me një fjalë, gjitha pulset e njeriut dhe perceptimet e tij për botën që e rrethon. Poeti si orakull, përhap zërin e shpirtit të tij dhe ky zë ka për destinim shpirtin.

Poezia e Ramadan Musliut, thellësisht është poezi e shpirtit të pasionuar për të bukurën dhe kënaqësinë e letërsisë. Poeti, duke synuar t’i përgjigjet dilemës së përhershme se çfarë i shërben arti fiskionit asaj që e quajmë botë reale, sikundër është në vijë me Paul Asuterin, i cili artin e sheh si fryt të së bukurës e për të bukurën, prandaj të bësh letërsi do të thotë: “Të bësh diçka për hir të kënaqësisë dhe bukurisë”.

Krijuesi dhe kritiku i mirënjohur Ramadan Musliu me virtuozitet ka thyer tendencat konformiste në art e letërsi, duke mbet njëri nga zërat më origjinal, një autor i rrallë, i cili zhbiron në esencat e qenies së artit, duke e latuar fjalën poetike dhe duke e projektua atë si ide e ndjesi. Kësisoj ai ka dit me mjeshtëri t’iu ik shablloneve në art e letërsi dhe ka dhënë modelin e një poezie të kultivuar, që përftohet nga përsiatjet dhe ndjeshmet, nga gjuha atributive dhe vargjet vibruese. Në përmbledhjen me poezi “Në zemrën e gjerave” (Buzuku, 2005), Musliu modusin tematik të lirikës (Norhep Fraji) e ndërton duke sinkronizuar empiritë jetësore, që bëhen pulsi i fuqishëm i çdo vargu, si dhe duke njohur e funksionalizuar në poezi kulturën universale të artit poetik, e cila reflektohet si filozofi, si e bukur dhe e dobishme (Horaci). Në zemrën e gjerave, autori zbret dhe aty nuhat me shije të kultivuar artistike dhe ndjesi të thella esencat e botës, të cilat i transfiguron në art me një ndjeshmëri të thellë poetike e inspirime që përftohen nga jeta praktike. E, këto janë shenja karakterizuese të poezisë së tij, ngase pikërisht aty është “vendi ku shpërthen shpirti” dhe shkëndijat e tij zbresin në vargje dhe ndërtojnë trupin e poezisë, e cila rriten e saj e bën nëpër stinët artistike që kanë laryshi ngjyrash e idesh letrare. Së këndejmi, krijuesi variacionet ideor i ndërfut në tekst, duke shqiptuar fuqishëm qenien e tij, e cila i “dorëzohet” zemrës, duke rënë në zemrën e gjërave, aty ku e ka zanafillën dhe është burimi i tekstit dhe estetika e tij, përjetësia dhe amshueshmëria e fjalëve e lidhur me kuptime poetike e metaforike. Prandaj është “andrra e jetës” sintagma poetike që hap ciklin e parë me poezi të modusit tematik, si një shënjues letrar specifik, që jetën e percepton si ëndërr, ndërkaq ëndrrën si motivim për tekstin e poezinë. Në fakt, kjo sintagmë që njëherësh bëhet paradigmë poetike, na ritregon tekstin si intertekst dhe ndërlidh poetikën e Musliut, në instancën e dytë ligjërimore (Barthes) me poetin elitar Ndre Mjeden dhe tekstin e tij poetik “Andrra e jetës”. Kjo ndërlidhje shenjëzuese ka për qëllim poezisë t’i jap karakter universal, duke e përjetësuar me jetën si ëndërr dhe shkrimin si domosdo për t’i treguar ëndrrat, edhe atëherë kur ato janë të trishta, të zeza, e që e hedhin njeriun në trishtim. Apo, edhe kur ato janë ëndrra rurale, me përplot të palara, ato duhet krijuar për të qenë shenjë e kohës, mbi të gjitha për ta sfiduar atë. Në këtë vorbull poetik, është vjeshta si figurë letrare që ka predimensionim të shumëfishtë dhe ku poeti përqendrohet me një sens të veçantë, ngase është figurë që shtreson tiparet e poezisë së tij. Vjeshta si figurë letrare shënjon gjendjen emocionale të poetit, sikurse shpreh klithmat për hyrjen në dimër të acartë “Paralajmërimi i dimrit”, prej nga dalja është e vështirë.

Perceptimet e krijuesit për botën dhe njeriun, ndërfusin kontrastet e shumta në poezi, që shenjëzohen nëpërmjet metaforave e simboleve, krahasimeve e ironisë, e që në lirikë luajnë një rol të figurshëm, për të përçuar ide e mesazhe, gjithnjë përmes së bukurës si intencë e poezisë dhe përsiatjeve e abstraksionit si tipare metafizike të poezisë. Këtë rrjet tematik me sekuenca të ndryshme e evokime të shumëfishta e hasim tek cikli  poetik “Bardh e zi”, ku poeti krijon kontraste të fuqishme letrare, aluzione dhe parodizime të realizuara mjeshtërisht.

Në të vërtet, edhe pse poetit “diçka si acid” i ka rënë në gjuhë dhe e trondit në gjumin e tij, ai e rrit trungun e tij poetik, ndaj ai “ndez qirin/ të ndriçoj qiellin e errësuar” (“Kohë e papërshtatshme”).  Qiri si shenjë autoriale është projektim i motivum nga domosdoja për të thyer të zezën, e cila rri mbi kokën krijuesit, e, që këtu shenjëzohet me qiellin si simbolin e pushtetshmërisë. Në këtë aspekt, poezia “Gjendje asnjanëse” e tipoligjizon sfidën e tij me makth, kur poeti shpërthen “Lufta ime e fundit me vetën time mbaroj me pat”. Dhe kjo ngase “një gjilpërë e harruar me ther në palcë dhe askush s’më dëgjon”. Në këtë gjendje emocionale, është poezia, vargu, shpërthim i fuqishëm. Prandaj poezia e Musliut nuk është e qetë, por ajo stigmatizon pamëshirë të keqën dhe sejmenët e saj, ajo është e ndërtuar me mekanizma të fuqishëm poetik; është e bukur estetikisht, por ajo është e pamëshirshme ndaj të palarave dhe devalvimeve të shumëfishta që e karakterizojnë jetën e njeriut tonë me të cilat dukuri Musliu nuk bënë kompromis. Kështu që në poezinë “Jetë kolektive” revolta e tij është e tendosur, por e pathyeshme. Poeti parodizon njeriun e kohës së tij, lirinë e tij, jetën si turmë dhe kështu krijon vargjet e goditura mjeshtërisht e të realizuara letrarisht: “Jeta qelbet nga të palarat/dhe rrobat e vjetruara/ të varura në tel/ për t’u ajrosur”.

Poezia e Ramadan Musliut ndërthuret si asociacion ndjesimesh të fuqishme në vorbullën e së cilave ai evokon kohën dhe jetën qençe në të. Në këtë aspekt poezia “Në ashensor” është tejet e fuqishme, ka një dinamikë të fuqishme që të trand shpirtin, vargu dallohet për një spontanitet të çiltër. Poeti arrin të konfiguroj në art të mirëfilltë çdo sekuencë të jetës, ndaljen e rrymës në ashensor, çastet në terr kur i zihet fryma dhe “përjashta dikush flet/ për mushkonjat që po vijnë nga plehrat/ se gjithçka është bërë pleh“. Dhe ky trishtim nuk moleps poetin, e më pak vargun e tij, i cili ironizon pamëshirshëm devijimet shpirtërore dhe indiferencën në raport me to.

Poezia e Musilut është reflektim i katrahurës së ndërlidhur me kontekstin e tij krijues e jetësor. Dhe nga ky kontekst shpërthen kurdoherë tehu i ironisë, i asaj ironie që pëlcet nga trishtimi, sikurse te poezia “Jetë qençe”, e cila shquhet për mendime të thella dhe gjuhë stigmatizuese, me veçanti stilistike e semantike të dallueshme.

Poezia e Musliut karakterizohet për një gamë të larmishme tematike, për shumësi figurash letrare e gjetjesh poetike të qëlluara. Ajo është një poezi që idenë e mishëron fuqishëm me figurën e goditur. Ajo është poezi e menduar dhe e përjetuar, e bluar në laboratorin e mendjes dhe zemrës. Dhe mbi të gjitha poezia e tij mbetet një burim i pashterur për lexuesit që donë të lexojnë poezinë si art të kultivuar e jo si konsum ideologjik .

Qenësia e dashurisë në poezinë e Kullit

Qenësia e dashurisë në poezinë e Kullit

Nga Ndue Ukaj

Përmbledhja poetike “Këpucët e mjegullës” e Fatime Kullit, sjell para lexuesit shqiptar aromën e një poezi të ndjerë deri në palcë, të përjetuar me thellësinë e zemrës, të shkruar me dellin poetik dhe pasionin e madh që poetja ka për artin poetik, elemente këto që kumbojnë fuqishëm në çdo poezi, ngase, subjektin lirik e “…mban gjallë dashuria për poezinë” (Mbeta dhimbje gjembi në kështjellë të trazuar). Kjo referencë poetike, derivohet në poezi dhe krijon modelin e veçantë të komunikimit poetik, që pikënisje dhe qëllim e ka dashurinë. Relacioni mes tekstit e kontekstit është i ndërvarshëm, ngase shenja poetike është intencë, por edhe reminishencë. Relacioni i subjektit me objektin, në këtë përmbledhje poetike është një relacion delikat, përshkohet fund e krye nga dashuria, kjo temë e madhe e letërsisë, e cila është nyja e poezisë së Kullit. Në fakt, është pasioni i fuqishëm e i jashtëzakonshëm i dashurisë, i cili do t’ i ndihmoj poetes të këndoj për këtë topos tematik sublim, në shumë variante, për burrin, për kujtimet që sjell dashuria, për dhembjet që sjell ajo, për ëmbëlsinë e saj, për seksin, me një fjalë, për shumëdimensionalitetin e dashurisë.

Poezia e Kullit karakterizohet për një frymëzim origjinal e të thellë, i cila rezulton me një modalitet të veçantë të konstruktimit poetik, përmes vargjeve të kondenzuara, apo poezisë në formë të prozës, ku ajo “rrëfen” vetën, brenda një relacioni shumë kompleks tematik, ku qenia dhe qenësia e njeriut përshkohet me tërë karakteristikat e saja komplekse e shumështresore. Në këtë kontest, është pikërisht dashuria, e cila në variantet poetike bëhet “Stuhi e dashurisë”, që është forca shtytëse dhe motivim poetik. Kjo shenjë letrare, poezisë së Kullit i jep gjallëri, një dinamik të veçantë tekstore, një tekstualitet dridhmues, ngase ajo intencë të tekstit ka “Të ndjej stuhinë e dashurisë”, këtë simbolikë domethënëse që në fakt prek palcën e kësaj përmbledhje poetike. Në të vërtetë, dashuria në këtë poezi është paradigmë letrare, ku objekti poetik, dashuria, është ndjenja ku ndërlidhen gjitha variantet poetike, qoftë kur këndohet për erotizmin si emocion e afsh, qoftë për metafizikën e dashurisë, perceptimet për artin e fjalës e jetën, gëzimet e hidhërimet, tema këto që shtrihet në poezi, në formë të plotfuqishme: “Puthja ime prej shiu/ Tinguj të trishtuar vizaton…/Çati prej burri./Në dheun e butë të shpirtit/ Këpus lule të egra..”. (Imazh prej burri). Janë dy dimensioni të rëndësishme që determinojnë poezinë e Kullit, dashuria për poezinë dhe erosi, të cilat janë të ndërlidhura fuqimisht dhe përplotësojnë njëra tjetrën në poezi, funksionalisht. Ato enden nga vargu në varg, nga poezia në poezi, në formë të plotnisë poetike.  Dhe është pikërisht kryetema e dashurisë, e cila rrezaton fuqishëm në poezinë e saj, shkreptinë si rrufe dhe shkëndijat e saj shpërndahen kudo në poezi dhe rrezatojnë vargje dridhmuese, ku emocionet e perceptimet për të bukurën, përjetësohen në forma e variante të ndryshme poetike. Në të vërtetë, janë këto dimensione të fuqishme që i përmendëm, që pikëpjekjen në këtë poezi dhe bashkëjetojnë me instancën tjetër letrare, që janë idetë e mesazhet poetike, gjuha dhe imazhet, të cilat ndërtojnë një simfoni poetike të veçantë, ku ritmet dhe hovet e shpirtit shkrihen bashkë me figurat e bukura poetike që shpërfaqin shpirtin e ekzaltuar të poetes dhe pasionin për fjalën e bukur artistike, po aq sa dashurinë e gruas për mashkullin, një dashuri kjo që ka karakteristikat e saja. Pikërisht këto karakteristika si rrallë ndonjë poete shqiptare, i përçon me fuqi poetike, Kulli. Këtë tipar poetik, poetja e demonstron me mjeshtëri tek poezia e bukur: “Të dua, të dua…se jam grua”, kur përmes vargut të përsëritur, i cili njëherësh është edhe titulli i poezisë, e, me gradacion poetik, sforcohet ideja e dashurisë së gruas. Në këtë poezi, vërehet edhe një dozë, do ta quaja “konfrontimi” me botën e pushtetshme mashkullore: ”unë jam si zana e legjendave/ që të dua, të dua, të dua se jam grua!/…Dëgjo Ti, që përdor pushtetin e burrit/ Unë do të të ndjek pas çdo hëne,/ çdo dielli, në çdo cep të botës”.

Këto aspekte poetike ndërtojnë modusin lirik (Northrop Fraji) të veçorisë së kësaj poezie, e cila vjen para lexuesit shqiptar si një freski pranverore, për të thyer tematikën e “rënd” që shpeshherë është tejet monotone brenda poezisë shqipe. Kësisoj, Kullit di të prodhojë një lexues të kënaqësisë (Roland Barthes) për aq sa poezia e saj nënkupton një lexues të kultivuar. Poetja Kulli di t’i sintetizoj në poezi ndjeshmet, përjetimet, imazhet, për t’i “bluar” ato në sistemin filozofik dhe së këndejmi për t’i brumos me ide e mesazhe të fuqishme. Së këndejmi, për t’i përjetësuar me vargje të realizuara mjeshtërisht. Dhe në këtë qëllim, ajo për bazë ka gjuhën e kultivuar poetike. Poezia e Kullit është e shkruar me tendosje poetike, por assesi duke dal nga parimet poetike, është e shkruar me emocione dridhmuese, por asnjëherë duke e humbur vetëdijen artistike dhe qëllimin estetik të poezisë. Kësisoj, poetja krijon vargje të kondenzuara, në të cilat idetë shkreptijnë fuqishëm dhe krijojnë mozaikun e bukur të poezisë, ngase ajo do “Të çliroj ankthin” (Tingull zjarrpritës…). Dhe ky ankth nënkupton katharsisin, atë shpirtëror e letrar, i cili, shprehjen më të mirë e gjënë përmes vargjeve dhe poezisë: “Vështroj ditë e vështroj netë/ Varur në qepenat e mbyllura të dritës/ Duke kërkuar buzëqeshjen vetëm një çast/ Sirtarëve mashtues që fsheh fatin e jetës sime..”. (Kam qeshur tërë ditën para vaijit tim)

Kulli shkruan një model të poezisë, e cila perceptimin për të bukurën e ka esencë, ndërkaq mbi këtë esencë ndërthur shumësi formash poetike, përmes një shumësi figurash e stilesh, në vargje që këndojnë jetën si kontrast dhe kontrastin si formë të manifestimit poetik, ku dashuria përplaset me gjitha opozicionet e saj, si urrejtjen, mallin, dhembjen, humbjen, etj, sikurse në vargjet në vijim:” Edhe seksi ka filluar të çmendet/ Nga xhelozia e ethëzimit stinor../ Të gjithë janë pronësuar / Shpirt vdekur/ujqër të tërbuar shqyejnë pangopësisht…” (me vezoret e insekteve). Apo në variante të tjera poetike, dashuria bën jetë prej kontrastesh të fuqishme ku puqen ndjenjat: “zhvesh këmishën e shpirtit e nënshkruan:/ TË DUA DHE TË URREJ! Dashuritë e mëdha lindin e shkrihen në legjenda” (Silueta e zhubravitur).

Poezia e Kullit, e ndërtuar rreth dashurisë, përcjell tek lexuesi mesazhe të fuqishme, të cilat shpeshherë thyejnë klishet letrare. Ajo demonstron me guxim dashurinë e gruas, e cila, është e plotfuqishme në relacionet me burrin, e stigmatizon varësinë dhe pushtetin e mashkullit ndaj gruas, me një stil elegantë poetik. Këtë, si shembull e hasim tek poezia “Më lër të të zbuloj…” “, ku poetja këndon: “Për dashurinë time/ Tërbohem vetë…/ S’e dua tërbimin tënd në qenien time”. Ky “konfrontim” poetik, esencialisht ndërfut idetë e shkrimtares për relacionet mashkull-femër. Poetja shkruan me virtuozitet dhe kurdoherë vargjet e saj dridhmuese të tronditin me fuqinë e mendimeve dhe bukurinë e të shprehurit: “Ëndrra është luftë zjarresh…/ Unë freskohem/ nën ujërat e zjarrit”. (Nën ujërat e zjarrit).

Poezia e Kullit ngërthen në vete një impuls të thellë njerëzor, ku emocioni shkrihet në harmoni më të bukurën, me artin, me të përjetshmen, me ritmet e këngës poetike, me dashurinë si ndjenjë e ndjesi, emocione këto të cilat e përshkojnë poezinë fuqishëm dhe e bëjnë atë të ëmbël: “Shkëmbi u lëkund/ Nën gjuhë të pasionit…/ Shtrëngata u fsheh/ Nga frikë e saj”. (Nën gjuhë të pasionit…). Poezia e Kullit shquhet për një tekstuliatet drithmues, ngase vërehet në çdo varg, pulsi i fuqishëm  i inspirimit të thellë, ai atij inspirimi autentik që shpërthen fuqishëm; ndjesia e thellë dhe përjetësia e fjalëve me vargje të goditura artistikisht. Shenjat poetike e simbolet në poezinë e Kullit janë dridhmuese, ngase fjala poetike është e përjetuar me dramaticitet të fuqishëm dhe ajo rënkon fuqishëm: “Fjala rënkon nën mure muzgjesh” (Korniza). Këto poezi kanë një ëmbëlsi të dyfishtë, janë një art i bukur, i këndshëm dhe një art i ndjerë thellësisht, ku dashuria, duke qenë  kryetema, jep para lexuesit botën e pasur të një poete të formuar që di të shkruaj bukur. Prandaj tek poezia “Me qumështin e syrit” , insiston ta zhvesh ëndrrën, reminishencën, prandaj evokon: “Mos e lër ëndrrën të të ikë/ Pa i zhveshur edhe lëkurën e fundit. Dhe kjo mbi të gjitha për faktin se “Hija e ëndrrës sime/ lëviz në telat e veglës/ së lashtë muzikore”. (Shtegtare e simfonisë…)

Një veçanti e poezisë së Kullit, gjithsesi funksional e origjinal, mbetet sistemi figurativ i pasur dhe me gjetje adekuate, pastaj leksiku dhe shenjat poetike, që shënjojnë idetë fuqishëm poetikisht. Kësisoj, poezia e Kullit, duke ngërthyer në vete trajta shumëdimensionale të këndimit poetike, shpërfaq trajtat e një poetik elitare që duhet tumirur si tejet e rëndësishme në poezinë shqipe.

Janë të realizuara në një nivel të lartë artistik, poezitë: “Të dua, të dua…se jam grua”, “Dritë mbi errësirë…”, “Mërmërinë nën puhizë të dashurisë…” ,  “Nuk munde të deshifrosh shenjtërinë time”, “ E përgjumur si kufomë në shtratin tënd…”, të cilat poezi shquhen për vlera antologjike.

Për fund, s’mbetet të themi asgjë më shumë, se sa të lëmë më së miri të flas vet arti i poezisë së Kullit dhe t’i përmbyllim këto përsiatje për poezinë e saj me këto vargje kuptimplota:  “I lutem dhimbjes së rrezikshme/ T’më varrosë në kopsht të hijshëm/ Me fjalë të ëmbla dashurie/ Që t’i lidh në varr mizorisht…” (Petalet shkundin hidhërimin….).

Romani Passio i Anton Gojcajt

Romani Passio i Anton Gojcajt

Nga Ndue Ukaj

Një studiues i madh frankofon, Tvetan Todorov, në librin Letërsia në rrezik, ndër të tjera shkruan se “si filozofia dhe shkencat humane, letërsia është mendim dhe njohje e botës psikike dhe shoqërore në të cilën jetojmë”. Duke qenë e tillë, letërsia bëhet fusha më e veçantë e komunikimit njerëzor, sepse vepra letrare vjen nga shpirti dhe ka destinim shpirtin, do thoshte esteti e filozofi Friedrich Hegel. Letërsia komunikon të bukurën përmes ndjenjave më sublime të shpirtit. Të bukurën si komponente esenciale të letërsisë e transfiguron në art shkrimtari, Anton Gojçaj, i cili tanimë është emër i sprovuar në shumë fusha të letrave shqipe. Autor që shkruan poezi, që kultivon zhanrin e tregimit, romanin, kritiken letrare, studiues i mirëfilltë letrar e eseist i shkëlqyer, ai ravijëzohet në letrat shqipe, me portretin e një krijuese me tipare të shumëfishta e vlera të gjithmbarshme, që di të mishëroj të bukurën me fjalën artistike, brenda një konteksti specifik kulturor e letrar.

Në romanin Passio (Gjergj Fishta, 2009), Anton Gojcaj ndërton tekstin si një realitet kulturor për të cilën gjë bie në një mendje e gjithë bashkësia e lexuesve (Umberto Eco). Autori shpërthen në këtë tekst letrar me tërë origjinalitetin e tij letrar. Teksti karakterizohet nga një narracion i përpunuar, një stil mjeshtëror, brendapërbrenda një fabule dinamik dhe një gjuhë atributive e konstruktuar me trajta rrëfimtare brilante. Romani ka një titull simbolik, që ngërthen një shënjues të letërsisë së tij, jetën si pasion dhe artin si pasion. Janë këto dy strumbullarë që kombinohen me mjeshtëri dhe që funksionalizojnë tiparet e një proze të realizuar mjeshtërisht, ku vihen në kontrast të thellë krizat identitare të njeriut. Autori empirik, duke u nisur nga jeta prej së cilës rrethohet, shpërthen në shkrimin fiksional, për të pikasur një personazh tragjik, rrugët e së cilit konstruktohen nëpërmjet shenjave dramatike, që vijnë si reminishencë nga ëndrra e personazhit hero të romanit, atëherë kur piktori Jozef Montanara (Zef Gjoni) ishte në kulmet e artit si piktor dhe atij i shfaqet në ëndërr, momenti më tragjik i jetës së tij: vrasja e babait, mu në natën e ngjalljes së Jezu Krishtit, simbolikë kjo e funksionalizuar dhe realizuar me mjeshtri nga autori, madje edhe si dimension filozofik i intertekstit letrar. Diskursi fiksional i autorit, mvishet nga tiparet e fuqishme të diskursit biblik e oral, i cili intencë ka funksionin edukativ të letërsisë, një katharsisi letrar të nënkuptueshëm.

Kodet tematike e ligjërimore, shtresohen rreth plagës së mërgimit, si një temë e lashtë e letërsisë shqipe, trajtuar kurdoherë në nga pena të shumta. Portreti i kryepersonazhit të këtij romani është kompleks. Ai është piktor me famë botërore, jeton në një metropol botëror, sikurse është Neë Yorku. I pamartuar, me disa flirte dashurore, ai bënë jetë prej artisti tipik, madje me dëshirën që të harrojë të kaluarën, mirëpo i ndodh e kundërta, ëndrra e kthen në realitet. Dhe këto lufta identitare bëhet e fuqishme, shpërthyese, drithëmuese, dramatike, me të cilën autori ndërton përplot sekuenca narrative të jashtëzakonshme. Jozefi, i cili Nuk Qesh Kurrë, fillon të trandet, tallazet e shpirtit të tij kërkojnë interpretimin e ëndrrës, ndërsa interpretimi i saj e kthen në identitet, në kërkim të shenjave të tij. Dhe pastaj zëri i fuqishëm, sugjestionues, por edhe melankolik „Zef Kthehu“ ja zgjon kujtimet e fashitura në kohë dhe fillon të kërkon vetveten. Kërkimi i vetvetes në variante të ndryhem narrative, e përcjell personazhin në gjitha nivelet e jetës, pas ëndrrës deri te rikthimi në Malësi, takimi me të ëmën, martesa, lindja e një djali dhe kontinuiteti i vazhdimësisë identitare.  Përmes këtij epilogu moral, autori përveç se përçon ide e mesazhe morale, riciklon dimensionet filozofike të zhbërjes së identitetit dhe rrezikut nga kjo dukuri.

Romani ka një fubulë e cila menjëherë lexuesin e fut në vorbullën e narracionit. Kemi një rrëfim në qendër të ngjarjes, in medias res. Dhe e gjitha në roman fillon me një ëndërr, prej së cilës shtresohet vorbulla e një rrëfimi dramatik. Autori funksionalizon motivet e lashta për ëndrrat si topose sinjifikative, ndërkaq një interelacion komunikues kulturor, teksti e ndërton me ëndrrat biblike, si topose komunikuese që prodhojnë kode të veçanta semiotike e ligjërimore. Jozef Montanara, larg atdheut, tek flinte, i selitet ngjarja më tragjike e jetës së tij, e cila lidhet me gjakun, më familjen, atëherë kur në prag të festave të ringjalljes së Krishtit, i vritet babai, nga armiqtë e Malësisë, që lehtë kuptohet që ishin armiq të etnisë së tij. Për t’ia shpëtuar Qengjin Zefit të vogël, babai i tij vritet. Këtu, figura e Qengjit bëhet shënjues i letërsisë së Antonit, një simbol me kuptime ekoivoke, që si topos tematik e figurë letrare, në variante të ndryshme bartet edhe në zhanrin e tregimit të autorit. Me këtë karakteristika ligjërimore e estetike, ndërlidhet  figura e qengjit të dashur të personazhit dhe në mënyrë implicite, e autorit empirik. Përmes këtyre sekuencave narrative, autori rikontekstualizon diskursin biblik për qengjin biblik, si topos tematik dhe si materie stilistike, e motivueshme për të konotuar idetë letrare. Qengji, në kuptimin e parë, shënjon kafshën e bukur, së dyti simbolikën kristiane, si arkitekt e arkiligjërim biblik që shenjon martirizimin e Krishtit në Kryq, sikurse qengj i pafajshëm për fajet e botës. Si figurë kryetipre letrare, sipas Northrop Frajit, qengji është evokim për Jezusin qe flijohet për mëkatet e njerëzimit. Dhe rikujtimi i kësaj figure nënkupton ringjalljen. Kjo intencë letrare në prozën e Gojcajt del e hapur, autori e sfidon personazhin e tij me një sekuencë jetësore të kahershme, që kishte lënë vragë të hapura diku në qenien e tij. Andaj, pas shumë sfilitjeve dhe tundimeve, personazhi realizon thirrjen që i bëhet në ëndërr dhe kthehet, si një determinim i intencës autoriale.

Nëpërmjet personazhit Jozef Montanaro (Zef Gjoni), autori portretizon njeriun e kohës së tij, të goditur nga plaga e detyrueshme e mërgimit, në të cilën shenjat identitare rrezikohen të shuhen.  Mirëpo, duke e trajtuar këtë temë kaq komplekse shqiptare, e veçanërisht për Malësinë, autori përçon mesazhe të fuqishme, që triumfojnë me epilogun e romanit, ku ndjehet fuqishëm një katharsis letrar sugjestionues. Në këtë roman, autori me një realizëm magjik, përmes një narracioni shpërthyes, të qetë, por dridhmues, e shtreson toposin e mërgimit dhe krizën identitare si temë të fuqishme narrative, përmes trajtave të rrëfimit modern, ku pikasën trajtat e realizimit magjik të prozës.

Ky roman i Gojcajt, ashtu sikurse i gjithë prodhimi i tij letrar, e perceptojnë artin si kulturë, që rolin edukativ e kanë në vete- siç do të shkruante Arshi Pipa. Dhe në këtë roman, ashtu sikurse në gjithë krijimtarinë e tij, Gojcaj përçon mesazhe të fuqishme kulturore e edukative, të cilat realizohen përmes katharsisit letrar, si element i fuqishëm i letërsisë së tij.

Perceptimet poetike të Ali Podrimjes

Perceptimet poetike të Ali Podrimjes

Ndue Ukaj

(Përkitazi me librin me poezi, Pikë e zezë në blu, Onufri, Tiranë, 2005)

Në komunitetin e kritikës letrare, ekzistojnë pikëpamje për letërsinë, sipas së cilave, forma e letërsisë që definohet si poezi, është përfaqësim i letërsisë që ka vlera estetike (kritika e re anglo-amerikane) dhe se vlerat e saj lidhen me realizimin prej saj të funksionit emotiv të gjuhës. Pra, gjuha, përveç se është esencë për letërsinë, për poezinë, veçanërisht është vetëidentifikim e objekt, përfaqësimi dhe sintetizimi i gjitha niveleve tjera që përcaktojnë dhe definojnë poezinë si formë e shkrimit artistik. Duke përjashtuar rrëfimin, poeti përmes gjuhës evokon situata, ide a ndjenja poetike, që e bëjnë këtë formë shkrimi, art të madh letrar.

Poezia e Ali Podrimjes, në rrafshin e komunikimit artistik, si poetikë e sistem komunikues gjuhësor, por edhe stilistikë, në botën letrare shqipe, paraqitet e veçantë, karakteristikat e së cilët dallohen në strukturën e vargut, por më fuqishëm, në rrafshin e ideve. Në rrafshin e elementeve konstituive poetike, kjo poezi, me shtresën e tingujve dhe cilësitë ritmike, shpërfaq tekstualiet të gjallë e dramatik. Podrmija, duke qen  poet më perceptime të thella, me botë të pasur imagjinatave e inovacion të bujshëm artistik, përmes asociacionit të imazheve dhe figurave, konfiguron vargje lakonike, ku shquhet, përveç tjerash, mprehtësia dhe thellësia filozofike e mesazhe, të cilat konotojnë dhe kështu, shtresojnë elementet bazike të një poetike moderne, përmasat e së cilës poetikë, vazhdojnë të përcjellin tendencat avancuese në artin poetik. Autori luan mjeshtërisht me simbole dhe metafora, të cilat i mvesh me shtresa tekstesh a figurash arkitekstuale, të cilat marrin statusin e shenjave poetike, të shënjuara poetike, që përcjellin mesazhe dhe funksionalizojnë perceptimet e poetit, për dukurit të cilat i shkruan. Gjitha këto elemente poetik, i japin poezisë së tij një impuls të veçantë në kuadër të poezisë shqipe.

Poezia e Ali Podrimjës, artikulohet përmes një sistemi figurativ të përpunuar, të  konsoliduar, ku ndeshim figurat stilistike të fuqishme, me një predominancë të metaforave dhe simboleve, që enden se shënjuese të stilit podrimjan. Poeti, stilin dhe diskursin e tij poetik e ndërton duke harmonizuar ndjeshmërinë dhe përvojën letrare si eksperiencë. Kjo e bën poezinë e tij universale, sa do që, ajo të shumtën e herëve, frymon nëpër ambientin shqiptar, motivohet prej tij dhe ka qëllim intencional përmbushjën e misionit të pikasjes së historisë së qenies shqiptare në poezi.

Në relacion poetik, mes subjektit (poetit) dhe objektit, gjithmonë ekziston empiria letrare e cila merr status të fuqishëm; autori i shmanget patetizimt poetik dhe ndërton tipin e poezisë me përlotë ekuivokë, ku shquhet sidomos mendimi i thellë.

Poezia e Podrimjes, në esencë, shtreson ide e situata që paraqesin shpirtin e trazuar të subjektit, kundruall universit të pafundmë, në të cilin lundron imagjinata e tij poetike dhe thithë përvojat me specifike të këtij universi. Për të realizuar pastaj, përmes shenjave poetike, biblën e tij të jetës, diskursin e shumëllojshëm poetik dhe semantikën e jetës si art dhe artit si jetë. Poeti Podrimja gjithnjë kërkon të gjejë mjete të reja të shprehjes artistike, andaj edhe tipi i poezisë së tij gjithmonë del i freskët, stili evolues.

Në poezinë e tij ndeshim një gamë e gjerë temash e problemesh, por edhe shumëllojshmëri trajtash e mjetesh ligjërimore. Podrimja, herë del si poet i revoltës dhe i rezistencës (për të shëmbëllyer me Migjenin e Nolin), herë me shpirtin e pasionuar të rrëfimit homerik (për të shëmbëllyer me Gjergj Fishtën). Idealet e tij poetik, përveç se kanë qëllim funksionale, ato korrespondojnë thellë, në këtë kontekst, më poet të mëdhenj klasik shqiptar.

Është mendim i pranuar në kritikën shqipe se Podrimja në poezinë bashkëkohëse shqipe solli një ndjeshmëri dhe intonacion të ri poetik, një tip të poezisë që kërkon esencat dhe i manifeston përmes gjuhës së goditur e figurave të përpunuara.

Në librin me poezi “Pikë e zezë në blu”, poeti Podrmja qysh në titull sikundër shpalos platformën poetike, kur konfronton dy figura poetike të fuqishme, figura këto të cilat dalin në kontrast pazakonshëm; dy figura që janë ngjyra të ashpra të krijimtarisë së tij poetike: e zeza, si personifikim i së keqes, element që shtresohet në dimensione kërkimore e intecionale, dhe e kaltra si ngjyrë lumturie, e njollosur nga pika e zezë, e cila prish harmoninë dhe bukurinë estetike, tash jo vetëm të poezisë, por edhe ekzistencës së poetit. Pika e zë në blu, është metaforë për vërsuljet që ju bëhen lumturisë së poetit, dashurisë, harresë, por kjo pikë e zezë në blu bëhet shenjë estetike e kondensuar dhe me nuanca emocionale, prej së cilës sajohet një tip i poezisë së mendimit të thellë dhe filozofike. Këto vërsulje, autori i nxjerr herë nga subjektiviteti personal, e herë herë nga ndjesimet kolektive, nga fatet dhe fatëkeqësirat e kombit të tij, nga mjerimi, i cili siç shprehet ai “të lë pa u larë”. Për të shpërthyer në poezinë “Biblike” që e hap këtë përmbledhje, me një mllef të papërmbajtur, por të realizuar poetikisht: “Në tokën tende/ të qosh jetë refugjati/mallkim gjaku”.

Bota letrare e poezisë së Podrimjës është e gjerë, ajo shtrihet neper hapësira etnike e universale, autori fatet e popullit të tij, që janë edhe fatet i tij, i pikasë me trajta të fuqishme retorike, ku metaforat dhe figurat e mendimit krijojnë imazhet universale, herë të trishta, e herë gazmore.

Ky libër poezish, është i ndarë në pesë cikle poetike: Imazhe i akullt, Maratonë nga Iliria, Mes ujit të madh  dhe ëndrrës, Pikë ë zezë në blu, Bregu ja errët, të cilat shtresojnë një numër vjersha të botuara nëpër kohë të ndryshme, e në të cilat poeti rrekët së trajtuar për fenomene të ndryshme të qenësisë së njeriut dhe përpalljes së tij me furtunat e jetës. Poezia shikuar përgjithësisht, evokon situata e fenomene që lidhen më gjendjen e kombi të tij, veçanërisht Kosovës. Poeti evokon situata të ndryshme ekzistenciale, të cilat në sensin “gjykues të pietetit” marrin atribute revoltuese. Për të funksionalizuar këtë, inkorporon në vargje figura të dendura sarkastike, përmes një gjuhe që nuancohet me shenja humori të hidhur: autori është i shqetësuar për trendët e kohës nën qiellin e tokës së tij, pastaj hedhet në revoltë therëse, siç del tek vargjet Lehje atje poshtë: U ka dalë zëri/ Heronj apo brejtës. Poeti Ali Podrimja, përmes metaforave të dendura dhe sistemit gjuhësor të përpunuar me mjeshtëri artistike, hedhet ne furtunat e jetës dhe sfidon kohët, duke u trandur në shpirt, siç del tek vargu: “Delja e livadhit shëtit Njeriun”. Kjo metaforë dhe ky mesazh poetik, si kontrast figurativ, sfidon të bukurën dhe godet ashpër dukuritë që e dezorientojnë njeriun e kohës. Prandaj edhe trishtohet nga “Përmendorja e viçit”: Viçi ynë më në fund/ Meriton një përmendore.

Në letërsinë shqipe, Podrimja njihet si poet, i cili kultivon vargun e kondensuar, me një sistem figurash e trajtash retorike që çrendomtësohen (nocion i formalistëve rus) nga trajtat konvencionale të poezisë shqipe. Në këtë segment, poeti hedhet në krah të tendencave të transformimit të strukturës poetike; autori nga tipi i ligjërimit të zakonshëm, kalon në ligjërim atributiv, ku ndeshim sistem të përpunuar figurash e trajtash poetike, në të cilin plan, rrafshi estetik, pa asnjë shmangie mbetet esencial dhe predeterminues.

Poezia e Ali Podrimës i përket korpusit të poezisë shqipe që ec në rrafshin e ecjes pas novatores dhe tendencave të hapura të poezisë. Modernia (si koncept që shënjon shkëputje nga tradite dhe shënjon prurje të reja) në poezinë e Podrijmës, është e dukshme. Kështu që në letërsinë shqipe ju bashkangjitur një plejade të tërë poetësh të mirëfilltë, të cilët ditën t’i shmangeshin ideologjisë në art e jetë (kujtojmë Mirko Gashin, Azem Shkrelin, Fredrik Reshpjan, Visar Zhtin, etj.)

Poezia e Podrimës, vargjet në përgjithësi janë sintetike. Përveç tjerash, atë e karakterizon nganjëherë një dimension ironie, i pulsuar nga dridhmat dhe tronditjet e poetit kundrejt tyre:

Kështu tek poezi “Nëna zbret në zemër të dheut”, poeti esencat e botës së ndjeshmeve të tij i rrumbullakon tek zhbërja, nga e cila ka ankth: “Edhe fjala e fundit kur më tha/gabimi i identitetit si hije më ndjek/ e unë zihem me ligjet. Në këtë sens, autori ndjehet i irrituar me pozicionin e qenies të tij nacionale midis dy qytetërimeve, prandaj me dele thotë nuk dilet në Pazar/ prandaj edhe litari e ka lidhur lak/ duke mos e mbajtur as lëshuar.

Gama e interesimeve poetike të Podrimjës është e gjerë, prek tema e probleme të kohës, të shkuar dhe të së ardhmes.  Objekti i tij artistik, korrespondon me situata aktuale, por edhe të së kaluarës. Poeti jep krizën e përgjithshme me bota të fuqishme, kund edhe më diskurs dramatik. Në këtë aspekt, vlen të përmendet poezia “I marri sokaqeve tona”, ku me shtresa të ndryshme motivesh, autori përplasë në vargje fatin a “kasdabnës sonë”. Gjitha këto kanë një dimension të fuqishëm ironik.

Poezia e Podrimjes referencën inspiruese e ka shpeshherë nëpër ambientin shqiptar, e ndërlidh kund e kund me personalitet të rëndësishme historike dhe këto i vënë funksion të intencionalitetit poetik.

Tek poezia Udhëtimi nëpër pyll, poeti ka frikë nga të panjohurat, andaj obsesioni i tij shpërthen hovshëm: Kujdes se Malin e pa shkelë/Mund ta terrojnë dhe perënditë/e dot ta gjesh/Itakën. Për të ikur ndonjëherë nga temat e rënda, poeti nuk lenë pa prekur edhe tema intime, e cila temë, edhe pse nuk paraqitet në shumësi, karakterizohet për vlera universale (poezitë Cunami nën Çarçaf si dhe Përflakja e trupave).

Shikuar përgjithësisht, Ali Podrimja poezinë jo vetëm se e ka vokacion, por atë e kultivon me shije të hollë artistike. Në strukturën e poezisë së tij kemi një ligjërim poetike të avancuar, me trajta shumëformëshe shprehëse. Përveç se e ka esencë të ligjërimit figurën dhe goditjet e fuqishme e ironike, fjalëformimin i tij i ndërtuar kryesisht me vargje lakonik, në gramatikën poetikë të së cilit inkorporon një gjuhë të gjallë. Në këtë aspekt, kodet dhe diskurset shumëformëshe kulturore e letrare, me ide e motive të nduarndurëshme, sintetizojnë portretin e një poeti të madh dhe produktin e tij- një poezi universale.

(Botuar në dhjetor 2006, në disa media shqiptare)

Logosi i fjalës poetike

Logosi i fjalës poetike
Nga Ndue Ukaj
Në komunitetin e kritikës letrare, ekzistojnë pikëpamje për letërsinë, sipas së cilave, forma e shkrimit që definohet si poezi, është përfaqësim i letërsisë që ka vlera estetike (kritika e re anglo-amerikane) dhe se vlera e saj lidhet me realizimin e funksionit emotiv të gjuhës. Pra, gjuha, përveç se është esencë për letërsinë, për poezinë, veçanërisht është vetëidentifikim e objekt, përfaqësimi dhe sintetizimi i gjitha niveleve tjera që përcaktojnë e definojnë si zhanër letrar. Duke përjashtuar rrëfimin, poeti përmes gjuhës evokon situata, ide e ndjenja poetike, përmes trajtave shprehëse emocionale. Janë këto elemente që e bëjnë këtë formë shkrimi një art specifik letrar.

Në fakt, duke qenë “letërsia një lloj i veçantë gjuhe apo një përdorim i veçantë i saj” (Jonathan Culler), poezia, si zhanri themelor i letërsisë vlerësohet si manifestim më praktik i fjalës, që fokusohet tek gjuha, semantika evokuese e saj, me një vëmendje të posaçme në parimet organizuese të tingullit dhe ritmit. Poezia apo arti i orakujve, shprehja më sublime që simbolizon modusin tematik (Northrep Fraji), kjo mbretëreshë e sublimes estetike tejkalon përmasat e zakonshme të ligjërimit njerëzor dhe hynë funksionalisht në rrafshin universal, për t’i inkorporuar koncepcionet metafizike e transcendentale, nëpërmjet domethënieve të përtejshme, figurative, filozofike. Poeti, në cilësinë e orakullit evokon me gjuhën e së bukurës dhe sublimes perceptimet për jetën e universin. Këto perceptime dhe observime poetik i gjejmë të sintetizuara në librin me poezi të  Gjekë Marinajt, “Lutje në ditën e tetë të javës” ku kënaqësia e tekstit dhe institucioni i tekstit (Roland Barthes), sintetizojnë parimet themelore të një poetike të konsoliduar estetike. Ky interkomunikim i shpërfaqur në titull, korrespondon në esencë me dimensionin semantik e estetik të letërsisë së tij dhe njëherit implikon koncepcionet universale për krijimin, të cilat poeti i ndërlidh në kontekstin e një kodi kulturo, i cili ka referencë ka atë biblik. Poezia e Marinajt mbetet arenë afreskesh, ku gërshetohen e bukura dhe e këndshmja (Dulce et Utule sipas Horacit), mesazhi dhe semantika e tekstit, tingulli dhe ritmi funksional, elemente këto të cilat i japin dinamik tekstit poetik, në pikëpamje ideore, ndërsa krijojnë synesa ritmike të posaçme, në aspektin e formës poetike. Ky vëllim poetik që në titull implikon nivelin e leximit intertekstual të poezisë, që këtu nënkupton kontekstin e shtatë ditëve të krijimit biblik. Kjo lojë poetike, përveç se reflekton koncepcionet për krijimin, këtë akt të magjishëm, e sforcon aktin krijues deri në kod kulturologjik, universal e të përtejmë: poeti Marinaj ia shton krijimit Hyjnor një ditë për vete (dhe krijuesit), nga shtatë ditët e krijimit biblik, ngase kësisoj përmbushet plotënia e universumit, apo:
Engjëjt të zbresin nga parajsa
e të bëhen poetë” (“Lutja e së djelës”)
Për faktin e thjeshtë se poezia është “shpirt i zbardhur gjerë në shpirt” dhe “lëshon tinguj marramendës nga kontakti i filozofisë me ndjenjën” (“Poezia“), së këndejmi shkakton katharsisin e nevojshëm letrar, sepse, sugjeron Marinaj, misioni i artistit është, që të “ndihmoj”: “Kafshët të zbuten/ e të bëhen humanë” (“Lutje e së dielës“)
Ndër elementet e rëndësishëm të poetikës së Marinajt mbeten akti imagjinativ i bashkëdyzuar me shenja e simbole empirike, të cilat i japin tekstit poetik tonalitet të theksuar dhe krijojnë një dinamik specifike tekstuale. Ky aspekt poetik, në plotëni është i konsoliduar dhe realizuar përmes një sistem figurative të konstruktuar me potencë të fuqishme kreative e frymëzim; me nuanca të fuqishme intelektuale e kulturolologjike. Kjo nënkupton se poezia e tij automatikisht parakoncepton apo i dedikohet lexuesit të kultivuar, një sintetizim të lexuesit empirik dhe model të letërsisë (Umberto Eco). Në esencialitetin e saj, poetika e Marinajt, është e krijuar me vokacion të kultivuar, ndjeshmëri të thellë dhe tension të fuqishëm dhe e bën këtë poet, krejtësisht veçantë dhe model në poezinë e sotme shqipe. Poezia e vëllimit poetik “Lutje në ditën e tetë të javës“, është e organizuar në cikle poetike, parimet e së cilës mbështetën në njëtrajtshmërinë e toposeve dhe rrjetit tematik. Më tutje, në pikëpamje të formës, lirika e Marinajt mbart në vete konceptin përsosmërisë ritmike, një parimi organizues simetrik, ku gradacioni poetik dhe aluzionet e vargjeve në përpikëri gërshetohen me harmoninë mes përmbajtjes dhe formës, dimensionit semantik dhe artistik të figurës, vargut dhe vjershës në tërësi (poezitë “24 orë dashuri” dhe “Bisedë me vdekjen“). Madje, mund të themi se Marinaj na del më specifik se kushdo në komunitetin tonë letrar, i pakrahasueshëm me format dhe mënyrën si e organizon materien poetike, si e koncepton temën e si i mishëron vargjet me figura dhe sistemin e brendshëm të rimimit dhe ritmit. Këto elemente i japin lirikës së tij gradacionin shumëformësh, ndërsa vargjet përçojnë kuptime ekoivoke. Dimensioni i kësaj përmase poetik, variohet në trajta të ndryshme të diskursit poetik, brendapërbrenda një sistem vargëzimi të përpunuar, ndërsa merr përmasë kuptimore tragjike, ta zëmë, tek vjersha “Sot u lind Frederik Rreshpja“, përmes së cilës Marinaj skalit vargjet nga më të fuqishme e poezisë shqipe:
Poetit i pat humbur me kohë harmonia e trupit
Me mendjen. Koordinimi i shpirtit
Me vargun, jo. E gjithë kjo në platformën
Që luciferi patë projektuar për poetët shqiptar
Në të vërtet, poezia e Marinajt në tërësinë e saj referencën e ka të etabluar në vetë qenien e poezisë, në artin e shkrimit, në artin e empirisë dhe universumit, aty ku gjendet siç do thoshte Umberto Eco bota e madhe e librit. Në fakt, ky është Olimpi i poezisë së Marinajt, ndërsa ai zgjerohet vazhdimisht dhe prek thellësitë e magjisë së botës së librit, nuancat e dashurisë dhe perceptimet për të bukurën që sjell kjo ndjeshmëri. Më tutje, poezia e Marinajt evokon fuqishëm kodet e mëdha poetike, ato që janë shenja të përhershme semiotike e semantike të tekstit letrar, Homerin, Danten, Gëten, Neruden, , Fishtën, Migjenin, e shumë të tjerë, me të cilët interkomunikon, në rrafshin e diskursit dhe dimensionit semantik. Këndej pari, ky soj vargjesh konoton fuqishëm në aspektin  kuptimore dhe shpërfaq ambivalencën poetike që tërheq paralele, gjithnjë në funksion të substancës së lirikës dhe intencës ideore:
Marloëe më ka bërë shumë nder me Faustus
Tani i njoh mirë vlerat e shpirtit, kostot e dijes”
(“Autoportret i avancuar”).
Në fakt, zbërthimi i këtyre esencave, sjell vargun dramatik, i cili na implikon disa nivele tekstesh intertekstuale e interdiskursive, ngase vargjet (teksti poetik) krijojnë relacione të ndërmjetvetshme e funksionale me tekste e njohura në kulturën e shkrimit letrar:
Të më falë Miltoni, por për mua do të ishte më mirë
Të jem shërbëtor në parajsë se sa sundues në ferr“.
(“Autoportret i avancuar“).
Këto perceptim poetike, Marinaj i sforcon brendapërbrenda një kodi të madh letrar. Prandaj, me shpirtin e artistit të madh e sofistifikon vargun estetikisht, i jep përmasë të thellë kuptimore, do të thosha krijon vargjet emblematike, sikundër nga fuqia ideore, ashtu edhe fuqia stilistike-letrare:
Sa herë jep shpirt një poet diçka vdes brenda meje
(“Me Neruden pranë Atlantikut“).
Në të vërtet, ky varg shpreh tërë intencionalitetin poetik, qëllimet e përtejme të fjalës së shkruar të poezisë së Marinajt, poezi kjo që karakterizohet fuqishëm nga mendimi i thellë dhe filozofik, nga reflekset që përshkojnë vargun dhe figurën, por asnjëherë që ta rëndojnë atë, përkundrazi:
Perëndim në të dyja kuptimet e fjalës
Gravitet specifik ekstrem:
Kripë dhe shqiptar
Ujë dhe vdekje
(“Flluska mbi Adriatik“)
Dhe më tej:
A ka më shumë
Shpirtra
Apo zgjedhime
Folja
Jap
(“Pyetje)
Këtë model të diskursit poetik e hasim edhe në poezitë “Sugjerimi më zë të ultë“, “Labirintet e mendimeve të Tanugunit“, “Reaksion“, “Fytyrën tënde“, “Ailropada në gjyqin e fjalës“, etj.
Duhet përmendur se poezia shqipe e dy dekadave të fundit, duke u liruar nga dogmat e krijuara në art e letërsi, ka shënjuar ngritje të ndjeshme, sikundër në planin sasior ashtu edhe në atë cilësor. Kemi një sërë poetësh që kanë hyrë në botën e letërsisë, me prirje të fuqishme novatore stilistike, duke zgjeruar komunikimin poetik dhe pikërisht në këtë kontekst, shkrimtari Gjekë Marinaj shënjon një moment të ri në poezinë shqipe, duke i sjell poezisë elemente të reja, origjinale, bashkëkohëse dhe specifike, brenda korpusit të letërsisë shqipe të dy dekadave të fundit. Poet elegant, me shprehje të përpunuar filozofiko-meditative, Marinaj në artin e tij shkrin dogmat për artin, drejtë një intencë sublime poetike: krijimit të artit të esencave origjinal, duke i kundruar brenda sistemit estetik. Dhe këto esenca i percepton me shije të hollë estetike, i kundron nga këndet më të ndjeshme dhe më dridhmuese, për t’i sintetizuara me gjuhën e së bukurës dhe këndshmes (Horacit). Këndej pari, poezia e tij shënjon një raport të nderligjshem e kuptimor mes semantikës së gjuhës dhe gjetjes së fjalës adapte, e cila pastaj ngjeshët me figurën dhe përplotëson qëllimin poetik. Toposi i temave dhe rrjeti tematik i poezisë së Marinajt është i shumanshëm. Uni lirik kalon nëpër tri rrethet Dantiane, drejtë shkrirjes së tyre dhe prehjes në lumturinë e poezisë, këtë lumturi që ja dhuron fuqia e letërsisë dhe qëllimi i saj përtej çdo qëllimi praktike. Këto nuanca janë të projektuara me gjuhë evokuese tek poezia “Purgatori“, në të cilën, në variante të ndryshme shpërthen bota e dashurisë profane, mes mashkullit e femrës, por vargu tejkalon përmasën e këtij toposi dhe përplotësohet me funksionin e rrjetit intertekstual:
“…Françeska pat rënë në dashuri sekrete me Paulon.
Pa i lexuar njëri tjetrit asnjë pjesë nga tregimi…
Madje as Dantja
Nuk hodhi dritë mbi dramën e tyre,
Nuk e trajtoi atë
Si një nga kualitetet e romancës tragjike.
Sa për ta
Dantja më mirë ta lente
Të pabotuar “Komedinë Hyjnore”:
Ata do ia shtonin edhe një rreth të ri
(“Purgatorit“).
Për poetin, dashuria në trajtat më të fuqishme rrezaton plotëninë, ajo është vetë bukura. Në poezinë “Vajzat” poeti shpërfaq diskursin idilik, një trajtë lirike të bukur që kurdoherë e përcjell poezinë e Marinajt, edhe kur ajo tejkalon përmasat e poezisë së dashurisë dhe merr konotacione meditative-filozofike, sikundër ngjet tek poezi “Dusitës, në 14 vjetorin e Martesës
Pa vajzat-diejt dhe hijet e vetë bukurisë,
Dashuria do tkurrej në një gëzhojë vezake
(“Vajzat“)
Ky rrjet toposesh e motivesh ndeshet kudo në poezinë e Marinajt. Madje, nuancat e dashurisë reflektojnë dimensionin ideor të palcës së poetikës së tij, për të mos thënë se ky rrjet toposesh përbën boshtin e librit. Për faktin e thjeshtë, por sublim, se dashuria është fytyra e tij, ajo është përfytyrimi më i mirë i qenies së poetit, së këndejmi edhe i aktit krijues:
Faleminderit për pjesën tënde të fytyrës sime”
(“Dusitës, në 14 vjetorin e martesës“)
Gjitha këto ndjesi e perceptime poetike, kanë rëndësi të shumëfishtë, e veçanërisht për aktin krijues, çastet e ekzaltimit shpirtëror, ngase:
Poezitë e mia nën lëkurën tënde vajzore
Japin e marrin metaforën melankolike
(“Në inkubatorin e Grabutës“).
Rrjeti tematik i poezisë së Marinajt është i shumanshëm. Fati dhe katrahura e vendit të tij dhe e qenies së tij mbetet pjesë e frymëzimeve të ndjeshme poetike. Tek poezia “Në datëlindjen e nënës” ka një mall të çiltër, një spontanitet cilësor, por asnjëherë poeti nuk lëshohet në retorikë:
“…Koka e
Saj akoma e varur në
Qiellin e një jete me re të
Zeza që hezitojnë të kthehen
Në shi…”
Apo, në rastin tjetër:
Lexoj duart e nënës
Që fytyra të ketë vlerë” (“Duart e nënës“)
Pikërisht në poezitë për nënën vërehet ndjeshmëria e thellë poetike, përplasja e filozofisë së jetës dhe artit të shkrimit.
Poetika e Marinajt karakterizohet nga diskursi shumëplanësh ligjërimor, dimensioni lirik bashkëdyzuar me trajtat e ligjërimit përshkrues, trajta këto që i japinë ritëm e sistem ritmik cilësor dhe funksional. Në fakt, idealet poetike dhe ferri i botës pasqyrohen në poezi me nuanca të konstruktuara në kontraste të fuqishme, e nganjëherë i nënshtrohen një ironie therëse:
Trup qiellor në orbitën ku fjala s’mbahet vetjake.
Fali fytyrat në rrethin e dytë të purgatorit,
Mburojë prej intelekti përballë krijesave bajate”.
(“Fytyra në rrethin e dytë të purgatorit-Fishtës“)
Poezia e Marinajt shquhet për realizimin metafizik. Kjo poezi duke patur për observime të përbashkëtën e njerëzimit, me nerv lirik, thërrmon esencat e filozofisë së jetës, së këndejmi edhe filozofisë së shkrimit, sikundër tek poezia “Vija ndarëse me Emily Dickindonin-in“, ku Marinaj spikat efektin konceptual të vargjeve:
“Orët plakën tek i kthejnë mendimet në dëborë-
Dëbora vjetrohet tek flakëron e menduar në erë-
Unë, pa kuptuar, jam poli i ngrirë e veriut tënd“.
Një aspekt cilësor dhe jashtëzakonisht të arrirë në kuadër të këtij vëllimi poetik përbëjnë poezitë për artin poetik, poezinë, prozën, poetin, për qenien e letërsisë, pastaj ato lirika kushtuar figurave të njohura, sikundër “Homeri”,”Migjenit“, “Nëna e poetit Luigj Çeka dha shpirt“, poezitë për Fishtën, Rreshpajn, Dalan Lucajn, Neruden etj. dhe pastaj ato për Shkodrën, për Nënë Terezën, për Gjergj Kastriotin, Rozafën, për Shqipërinë, Kosovën, Nju Jorkun. Këto poezi i shquan dhe i përshkon frymëzimi i thellë, sikundër shihet tek  poezia për Shkodrën, apo dy vjershat e bukura për Nënë Terezën. Duke konsoliduar poetikën e tij, Marinaj nuk ngarend pas ndonjë stili apo sistemi të caktuar stilistik-poetik, por si artist i rryer kombinon trajta dhe stile të shumta, për të krijuar stilin e veçantë, dallues Marinjan, një stilistikë që harmonizon shumësinë e koncepteve për qenien e poezisë.
Për dreq, të gjithë banorët e erës e morën vesh.
Merkuri u shkëput nga vendi dhe u zhyt në det.
Dielli vuri duart në bel e u lartësua plot ëndje
Dhe muskujve të tokës u pëshpëriti një sekret:
Bëmë dashuri në natyrë, natyrshëm, natyrisht
(“24 orë dashuri“)
Kështu, poezia e tij aq sa mbetet moderne është posmoderne, endet mes klasikes e simbolikës, mes lirikës dhe trajtave epike, mes shkollës letrare shkodrane dhe amerikane, mbi të gjitha, teksti poeti ndërtohet mbi parimet e Artit Poetik. Ajo mbetet në vete një pikë referimi, për krijues e studiues të letërsisë dhe artit poetik. Parimi poetik i Marinajt është i ndërtuar mbi eksperienca të shëndosha dhe perceptime të shumëfishta për artin dhe njeriun si epiqendër e tij. Për të sforcuar kodet e mëdha tematike, poeti i formësuar e rrahur në artin e shkrimit, interkomunikon me parakonceptimet për artin e letërsinë. Këndej pari, në ketë poezia e tij shpërfaq trajtat funksionale të intertekstualitetit dhe interdiskursit, si efekte të posaçme poetike.Ndërlidhja mes botës materiale dhe shpirtërore, në funksion të katharsisist poetik, ndjehet kudo si intencë karakteristikë e mesazhit poetik. Dhe këto gërshetohen nga ndjeshmëria e thellë humane, për të bukurën, për sublimen dhe kategoritë e saja estetike, për dashurinë si përjetësia e fjalëve dhe amshueshmëria e vargjeve. Brenda poezisë së Gjekë Marinajt, poetit, përkthyesit dhe profesorit të letërsisë, shkrihen në universin e pafundmë dy dimensionet themelore poetike: prirjes semantike, ku fjala dhe mesazhet tingëllojnë për të shpreh intencë ideor; dhe prirjes estetike, ku sintaksa e vargut është e kursyer, idetë, mesazhet, vishen me figuracion të zgjedhur, të seleksionuar, përmes një logosi e diskursit poetik, e cili metaforën dhe krahasimin i kombinon dhe kështu krijon tipologjinë e kënaqësive të lexuesit dhe më tej prodhon lexues të kënaqësisë, (Roland Barthesi). Për fund, poezia e Gjeke Marinajt mbetet një apologji për artin, ajo nuk demonstron, por është vetë pasqyra më e bukur e artit të fjalës.

* (Ky tekst është botuar si parathënie e librit më të ri poetik të Gjekë Marinajt, Lutje në ditën e tetë te javës, Faik Konica, Prishtinë, 2008)



Follow

Get every new post delivered to your Inbox.